Policia në Itali, e koordinuar nga Prokuroria Publike në Gjykatën e Milanos, ka zbatuar masën e arrestit me burg, të lëshuar me kërkesë të prokurorëve publikë të Departamentit VII, ndaj 5 shtetasve italianë me banim në Milano, të moshës 27 deri në 40 vjeç, ku njëri prej tyre dyshohet për veprën e rëndë penale të vrasjes së mbetur në tentativë.
Operacioni i policisë gjyqësore filloi pas sulmit të dhunshëm që pësoi 38-vjeçari më 29 mars 2023 në Via Monte Cengio dhe Via Monte Palombino, në Rogoredo. Personi i gjetur pa ndjenja në anë të rrugës nga efektivët e policisë së Milanos, u transportua me urgjencë në spital dhe u shtrua në ambientet spitalore me prognozë të rezervuar, në gjendje kome farmakologjike.
Për shkak të dëmtimeve të rënda të shumta të fytyrës dhe kafkës, me hemorragji cerebrale të përhapur, viktima iu nënshtrua dy operacioneve delikate kirurgjikale, të cilat i shmangën vdekjen.
Rindërtimi i mëpasshëm i episodit të rëndë kriminal ishte rezultat i një veprimtarie hetimore intensive dhe komplekse të kryer nga seksioni i Krimeve kundër Personave të Policisë të Milanos nëpërmjet aktiviteteve teknike, analizave të videove të shumta dhe marrjes së deklaratave nga persona të informuar për faktet. Veprimtaria hetimore, aktualisht në fazën e hetimeve paraprake, ka bërë të mundur identifikimin e saktë të fazave të spikatura të atentatit dhe zbulimin e një sherri të mëparshëm, teksa shqiptari dhe italianët në një rast kishin nxjerrë thikat.
Dhuna ndaj shqiptarit mësohet se ka qenë ekstreme, duke bërë që ai të jetë shumë pranë vdekjes.