Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se prokurorja në rastin e gazetarit Lirim Mehmetaj, Rukije Shasivari, ka bërë një gabim profesional të pafalshëm.
Sipas Miftarajt, prokurorja ka iniciuar një rast që i takon kompetencave të PRSK-së.
“Prokurorja në rastin e Lirim Mehmetaj ka bërë një gabim profesional të pafalshëm. E njëjta ka iniciuar nje rast që i takon kompetencave të PSRK. Ka nxjerrë aktvendim për fillim të hetimeve pa e marrë fare në pyetje gazetarin Mehmetaj”, tha ai.
Miftaraj e ka vlerësuar lajm të mirë qasjen e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
“Lajm i mirë qasja e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i cili sot komunikoi me publikun dhe në njëfarë mënyrë na tregoi se do ta përmirësojë këtë gabim”, tha ai.
Ai theksoi se “prokurorët kur janë në pyetje media, gazetarët, liria e shprehjes, demokracia duhet të kenë kujdes të shtuar dhe mos të bëjnë gabime të tilla amatoreske, që e cenojnë lirinë e medias dhe shprehjes së mendimit”.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar me shqetësim të madh njoftimin nga gazetari i “Albanian Post”, Lirim Mehmetaj, për thirrjen që i është bërë si i pandehur nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Në thirrjen për paraqitje më 7 mars, Mehmetaj është ftuar si i pandehur për veprën penale “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit” nga Neni 141 i KPR-së.
Prokuroria e Prishtinës, përmes një komunikate të publikuar më datë 06.03.2024, ka bërë të ditur se ka përcjellë me vëmendje debatin e zhvilluar në opinionin publik lidhur me çështjen e gazetarit Lirim Mehmetaj.
Prokuroria e Prishtinës, po ashtu, ka njoftuar se ka pranuar kallëzim penal privat kundër Lirim Mehmetajt nga pala e dëmtuar D.M.
“Njoftojmë opinionin publik se veprimet e ndërmarra në këtë çështje janë në drejtim të trajtimit të kallëzimit penal” – thuhet më tutje në komunikatë.
Komunikata gjithashtu qartëson se në rastin konkret do të vlerësohet nga kryeprokurori i Prokurorisë së Prishtinë, Zejnullah Gashi, nëse nga prokurorja e rastit për këtë çështje ka tejkalim të kompetencave që nuk janë në përputhje me ligjin.
“Prokurori i Shtetit mbetet i përkushtuar për respektimin e lirisë së shprehjes dhe të drejtave të tjera të njeriut të cilat janë të garantuara me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi”- përfundon komunikata.
AGK -ja ishte shprehur, përmes platformës sociale Facebook, se derisa është në pritje të informacioneve zyrtare, një thirrje të tillë e cilëson si alarm për një shoqëri demokratike.