Metush Biraj ka ngritur dhjetëra aktakuza gjatë gjithë karrierës së tij si prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit.
Në pensionim, ai përfundoi vet si i akuzuar. Vepra penale ndërlidhet me një rast që Biraj e kishte në trajtim, e nga i cili, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Gjilani, u dakordua për t’i pranuar si ryshfet 20 mijë euro, në mënyrë që ta mbyllë rastin.
Liridon Salihi nga GLPS, thotë se ky rast tregon se duhet të forcohen mekanizmat llogaridhënies brenda Këshillit Prokurorial e atij Gjyqësor.
“Duhet që të forcohen mekanizmat e llogaridhënies, mekanizmat e mbikqyrjes së punës së prokurorëve dhe gjyqtarëve, normalisht duke mos cenuar pavarësinë e tyre në aspektin e vendimarrjes, mirëpo duhet një mbikqyrje e tillë në mënyrë që të evitohen në këto raste kur gjyqtarët dhe prokurorët përfshihen në afera të tilla të korrupsionit,” tha Salihi.
E Biraj rrezikon një dënim të lartë në rast se shpallet fajtor.
“Në dispozitivin e aktakuzës, çdo herë sipas njoftimit të Prokurorisë, atje përmendet edhe shuma prej 20 mijë eurosh. Ndërsa sipas Kodit Penal në rastet kur kemi të bëjmë me dobi materiale në vlerë që tejkalon 15 mijë euro, atëherë dënimi është prej pesë deri në 15 vjet,” u shpreh Gzim Shala, IKD.
Në një përgjigje me shkrim për Dukagjinin gjatë ditës, ish-prokurori Biraj shkurt ka thënë se ‘preferon që këtë çështje t’ia lë drejtësisë’.
“Kjo padyshim paraqet një imazh jo të mirë për vet sistemin gjyqësor, e në anën tjetër ndikon edhe në perceptimin e qytetarëve karshi sistemit të drejtësisë, duke e ditur që edhe besimi ndaj institucioneve të drejtësisë është tejet i ulët, edhe këto situata edhe më tepër e zbehin besimin ndaj këtyre institucioneve,” shtoi Salihi.
Media gjatë ditës i ka dërguar pyetje edhe kryprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala, në lidhje me rastin e ish-prokurorit Biraj, mirëpo ai nuk është përgjigjur.