Në kuadër të aktiviteteve shtetërore për nderimin dhe shënimin e 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore kushtuar 5, 6 dhe 7 marsit.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti shprehu se “Ndonëse fjalët i pasojnë mendimet dhe i paraprijnë veprat, fjalët janë gjithmonë të pamjaftueshme për t’i përçuar si mendimet ashtu edhe veprat. E në rastin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kjo bëhet pamundësia vet, andaj edhe kënga “Mora fjalë” tregon edhe kufijtë e fjalës.”
Ai shtoi se Epopeja e UÇK-së është “26 vjet lavdi, sepse çdo vit që kalon, lavdia e rezistencës së Jasharëve të Prekazit shkon duke u rritur, ashtu sikurse që e tërë trashëgimia e historisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sa vjen e shtohet. Me 5, 6 dhe 7 mars 1998, Ademi me Hamzën dhe me babën Shaban, si dhe të gjithë të tjerët që iu bashkuan atë ditë dhe ata që e vazhduan rrugën e idealeve të tyre në ditët e muajt e vitet në vijim, e bënë historinë me përkushtimin më të madh dhe me vetëdijen më të lartë”.
U mbajt Akademia Përkujtimore në shënim të 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Në përfundim, kryeministri nënvizoi se në përvjetorët e ardhshëm të Epopesë së UÇK-së, duam ta shndërrojmë Prekazin në një peizazh historik, i cili do të jetë dinjitoz për ta ruajtur dhe kultivuar gjithë historinë e rezistencës së Jasharëve dhe asaj çfarë ajo përfaqëson për neve, por edhe për botën.
“Meqenëse kemi të bëjmë me një ngjarje dhe me një figurë historike që na tejkalon neve. Na tejkalon neve si popull sepse është qëndresë për lirinë universale. Andaj, kjo është mënyra se si ne duhet e do t’i shfaqemi edhe botës, jo vetëm vetvetes”, tha kryeministri.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në Akademinë Përkujtimore në shënim të 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së
I dashuri Baca Rifat,
E nderuara familje Jashari,
E nderuara znj. Besarta Jashari,
I nderuari z. Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Të nderuara familje të dëshmorëve e martirëve të kombit, invalidëve e veteranëve të luftës çlirimtare,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, zëvendëskryeministra e ministra të Qeverisë,
Të nderuar oficerë e gjeneralë e ushtarë të ushtrisë sonë,
Të nderuar veprimtarë të çështjes kombëtare,
Të nderuar përfaqësues e drejtues të institucioneve tona shtetërore,
Akademikë, profesorë, studentë,
I nderuari z. historian, Durim Abdullahu,
Të nderuar të pranishëm,
Motra dhe vëllezër,
Zonja dhe zotërinj,
E kemi nisur ditën e sotme me homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe me një vizitë në kullë te Baca Rifat, ndërkaq po e përmbyllim këtë ditë të 6 marsit me akademi përkujtimore këtu në Prishtinë.
Sonte po e marrim fjalën në këtë akademi sikurse që dje e “morëm fjalën” në Kuvendin e Kosovës po për këtë histori, ashtu siç na rikthehen fjalët për Adem Jasharin, me vargjet e këngës “Mora fjalë”. Këngës që e kënduan dje edhe ushtarët e oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në kazermën e Prishtinës, e cila e mban emrin e kryekomandantit Adem Jashari.
Ndonëse fjalët i pasojnë mendimet dhe i paraprijnë veprat, fjalët janë gjithmonë të pamjaftueshme për t’i përçuar si mendimet ashtu edhe veprat. E në rastin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kjo bëhet pamundësia vet, andaj edhe kënga “Mora fjalë” tregon edhe kufinjtë e fjalës. Fjalët që doemos nuk i gjen dot, që duhet t’i marrësh e t’i gjesh diku e disi, për ta shpjeguar a përshkruar këtë Epope të papërsëritshme me domethënie ende të pashteruar. Me fjalë të tjera, “Mora fjalë” do të thotë që për këtë Epope është vështirë të ketë ep. Tash të gjithë e keni parasysh tekstin e këngës e cila nis me atë se çfarë po bëjmë ne që këndojmë: “Mora fjalë, mora vargun, mora qarkun me i thurr këngë”. Pra çfarë po bëjmë ne? Kështu nis kënga, ky është edhe refreni. Dhe më pastaj strofa e dytë, porsa përpiqemi të themi diçka, ne themi “Çohu Adem”. Pra është e pamundur të shkosh më larg se strofa e parë, e pa rënë në veprim. E unë besoj që kjo është arsyeja pse ka këngë, po nuk ka tekst. Vetëm me këngën me një tekst kaq të bukur dhe me një melodi po ashtu të jashtëzakonshme, është bërë e mundshme që të gjejmë diçka artistike që bëhet kulturë meqenëse rrah porsi zemra e popullit.
Të nderuar të pranishëm,
Në vitin e kaluar e kishim përvjetorin jubilar të 25-të të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht epopesë së ushtarëve çlirimtarë, kurse sivjet, e kemi 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës. Çlirimtarët i paraprijnë çlirimit, sepse lufta e tyre është parakushti i lirisë.
Në kalendarin e ditëve të shënuara në Republikën e Kosovës, datat 5, 6 dhe 7 mars janë të rrethuara me të kuqe, teksa sipër tyre është shkruar me shkronja kapitale: Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Sivjet, sipër këtyre fjalëve, është shkruar: “26 vjet lavdi”. Janë 26 vjet lavdi sepse çdo vit që kalon, lavdia e rezistencës së Jasharëve të Prekazit shkon duke u rritur, ashtu sikurse që e tërë trashëgimia e historisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sa vjen e shtohet. Me 5, 6 dhe 7 mars 1998, Ademi me Hamzën dhe me babën Shaban, si dhe të gjithë të tjerët që iu bashkuan atë ditë dhe ata që e vazhduan rrugën e idealeve të tyre në ditët e muajt e vitet në vijim, e bënë historinë me përkushtimin më të madh dhe me vetëdijen më të lartë.
Shumë dëshmitarë dhe burime i kanë rrëfyer ngjarjet e atyre ditëve në Prekaz, nga luftimet e 5 marsit e deri te varrimi dhe rivarrimi i të vrarëve në ditët pasuese. Mes tyre është edhe gazetari Sabit Istogu, që ato ditë i kishte parë duke qenë i strehuar në pullazin e shtëpisë së tij rreth 100 metra larg pozicioneve të forcave policore, prej ku ai vëzhgonte dhe raportonte për mediat. Në librin e tij të titulluar “Rrënjët e lirisë”, është artikuluar një narracion që ndjek historinë e luftëtarëve të lirisë në Prekaz që tregon se si jo vetëm Adem Jashari bën Prekazin, po edhe Prekazi e bën Adem Jasharin, që nga Ahmet Delia më 1912 dhe rezistenca e Shaban Polluzhës më 1945, te Tahir Meha në 1981, e deri te qëndresa e Jasharëve më 1998.
Ajo çfarë neve na mbetet sot dhe të gjithë brezave që do të vijnë në të ardhmen, është të kujdesemi për trashëgiminë e madhe që e ka prodhuar kjo histori. Që nga fillimi jemi angazhuar me seriozitetin dhe kujdesin më të madh për të ideuar dhe jetësuar Projektin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz e për të bërë intervenimet e domosdoshme sanuese. Shumë punë është bërë nga Komiteti Ndërministror dhe veçanërisht nga Komisioni i Ekspertëve, sikurse edhe nga zyrtarë e profesionistë të ndryshëm për ta realizuar këtë projekt, fazë pas faze e hap pas hapi.
Në përvjetorët e ardhshëm të Epopesë së UÇK-së, duam ta shndërrojmë Prekazin në një peisazh historik, i cili do të jetë dinjitoz për ta ruajtur dhe kultivuar gjithë historinë e rezistencës së Jasharëve dhe asaj çfarë ajo përfaqëson për neve, por edhe për botën. Meqenëse kemi të bëjmë me një ngjarje dhe me një figurë historike që na tejkalon neve. Na tejkalon neve si popull, sepse është qëndresë për lirinë universale. Andaj, kjo është mënyra se si ne duhet e do t’i shfaqemi edhe botës, jo vetëm vetvetes.
Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz u luftua tri ditë, kurse nesër bëhen gjithsej 78 ditë të shpërndara në nga tri ditë përgjatë këtyre 26 vjetëve, që përkujtohen ato tri ditë luftë. Vitet do të kalojnë dhe ditët kur ne do t’i kujtojmë do të shtohen me nga tri ditë çdo vit, por përtej tri ditëve të Epopesë së UÇK-së, trofeu i atyre ditëve që është vet liria e vendit dhe popullit tonë jetohet për çdo ditë.
Lavdi jetës dhe veprës heroike të kryekomandantit Adem Jashari, të Jasharëve të Prekazit dhe gjithë dëshmorëve të kombit në të gjitha kohërat!
Ju faleminderit.