Grabitjet e vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare janë bërë një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës, që po shkaktojnë humbje e pasiguri.
Një rast i tillë, por jo fort i zakontë kishte ndodhur në një motel në prill të vitit të kaluar dhe tek tash është arrestuar personi i dyshuar.
E dyshuara 25-vjeçare që dyshohet se ia kishte vjedhur paratë dhe gjësendet me vlerë mërgimtarit me të cilin kishte qëndruar në një motel në Fushë Kosovë, tashmë ka rënë në prangat e Policisë.
Bëhet fjalë për A.Haxha, e cila është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, por nuk është deklaruar fare lidhur me rastin, duke u mbrojtur në heshtje.
Ndaj saj janë ngritur dyshimet se në prill të vitit 2023, në motelin ‘Diamonds’, ia kishte vjedhur viktimës stolitë që kapnin vlerën e rreth 20 mijë eurove, paratë, telefonin e të gjitha dokumentet.
Policia në koordinim me Prokurorinë ka arritur të sigurojë edhe prova, që dëshmojnë përfshirjen e të dyshuarës në rast.
Ndaj saj, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme brenda afatit ligjor.