Kina e ka përshkruar luftën në Gazë si “turp për civilizimin” dhe ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, përderisa konflikti hyri në muajin e gjashtë pavarësisht përpjekjeve të ndërmjetësve për arritjen e një armëpushimi.
Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka bërë thirrje Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që të pranojë një plan për armëpushim me Izraelin para nisjes së Muajit të Ramazanit.
Megjithatë, ndërmjetësit në Egjipt ende nuk kanë tejkaluar pengesat në përpjekjet e tyre për të negociuar një pauzë në luftime, ndërkaq Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se palestinezët e bllokuar nga luftimet po përballen me uri.
“Është tragjedi për njerëzimin dhe turp për civilizimin që sot, në shekullin 21, kjo krizë humanitare nuk po mund të ndalet”, tha ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, gjatë një konference për media në Pekin më 7 mars.
Kina, që historikisht ka përkrahur kauzën palestineze, ka bërë thirrje për armëpushim që kur nisi lufta më 7 tetor, kur radikalët e Hamasit sulmuan jugun e Izraelit.
“Komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë me urgjencë, ta bëjë prioritet një marrëveshje të menjëhershme armëpushimi dhe ndaljen e armiqësive dhe të sigurohet që të ketë ndihmë humanitare si një përgjegjësi morale”, tha Wang, raporton REL.
Lufta ka shkatërruar pjesë të mëdha të Rripit të Gazës dhe ka shkaktuar një krizë humanitare për 2.3 milionë banorët e këtij territori.
Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi tha se 20 persona kanë vdekur nga kequshqyerja dhe dehidrimi, gjysma e të cilëve ishin fëmijë.
OKB-ja ka thënë se vetëm një sasi e kufizuar e ndihmës po arrin në veri të Gazës, ku ka paralajmëruar se uria ka arritur në “nivele katastrofale”.
Lufta mes Izraelit dhe Hamasit nisi më 7 tetor, pasi radikalët palestinezë vranë afër 1.200 persona në jug të Izraelit dhe rrëmbyen afër 250 të tjerë.
Disa pengje u liruan gjatë një armëpushimi në nëntor. Izraeli beson se 99 pengje janë ende gjallë në Gazë dhe 31 të tjerë kanë vdekur.
Si pasojë e ofensivës tokësore dhe ajrore të Izraelit, në Gazë janë vrarë mbi 30.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e udhëhequr nga Hamasi.