Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Policia e Kosovës gjeti raketahedhës në Banjskë, KFOR-i vjen me detaje të reja

 
   

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, njoftoi të enjten se një ekip i tij i ka ekzaminuar raketahedhësit e gjetur një ditë më parë nga Policia e Kosovës në afërsi të Manastirit të Banjskës në qytetin verior të Kosovës, Zveçan.

KFOR-i tha në një komunikatë për media se pesë raketahedhësit (Zola) e gjetur dje në Banjskë – për të cilët Policia dyshon se ndërlidhen me sulmin e 24 shtatorit në këtë fshat – do të dërgohen në laboratorë të forenzikës për ekzaminimeve shtesë.

Ekipi për asgjësimin e mjeteve shpërthyese nga Komanda Rajonale e Lindjes e misionit të NATO-s bashkëpunoi të ngushtë me Policinë e Kosovës, thuhet në njoftim.

“Batalioni i Komandës Rajonale të Lindjes po e bën sigurimin e mëtejmë të zonës, për të parë nëse mund të gjejë depo të tjerë të fshehta armësh në afërsi”, tha KFOR-i.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha të mërkurën për Radion Evropa e Lirë se “mjetet ushtarake dyshohet se i përkasin ngjarjeve të shtatorit të vitit të kaluar”.

Më 24 shtator 2023, një grup i serbëve të armatosur e sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Më pas sulmuesit u strehuan në manastirin e këtij fshati, prej ku vazhduan përleshjet me policinë. Gjatë përleshjeve u vranë tre sulmues.

Pas sulmit, në Manastirin e Banjskës dhe objektet përreth, përfshirë shtëpi banimi, u konfiskua sasi e madhe armatimi, përfshirë 29 raketahedhës të mbushur dhe 7 të përdorur, automjete të blinduara, më shumë se 20 automjete malore dhe dy motorë për terrene malore.

NATO-ja e ka përforcuar misionin e vet KFOR-in në Kosovë pas sulmit të 24 shkurtit, ku tani i ka 4.500 pjesëtarë.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës që është e para dhe pas misionit të BE-së për sundim të ligjit, EULEX, me të cilat thotë se bashkëpunon ngushtë.

Përgjegjësinë për sulmin në Banjskë e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kosova e fajësoi Serbinë për sulmin, e cila e mohoi çdo përfshirje, por e ka lënë të lirë Radoiçiqin prej atëherë, me kusht që të mos udhëtojë drejt Kosovës.

Më 16 shkurt, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se të gjithë të dyshuarit për kryerjen e sulmit në Banjskë janë futur në sistemin ndërkombëtar të INTERPOL-it për fletarrestime.