Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

10 mijë euro shpërblim kush e qëllon numrin e saktë të popullsisë

Avni Kastrati, ushtrues detyre të drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), ka thënë se regjistrimi i popullsisë do të bëhet nga data 5 prill deri më 17 maj të këtij viti.

Kastrati ka prezantuar edhe një lojë shpërblyese rreth procesit të regjistrimit të popullsisë.

Loja është e ‘thjeshtë’: Cilido qytetar që ia qëllon se sa do të dalë në fund numri i popullsisë në Kosovë, do të fitojë një çmim prej 10.000 euro.

“Është një lojë shpërbylyese, ai që e di se sa ka me dalë popullsia në Kosovë, do të fitojë një çmim prej 10.000 euro. Por na vyen saktësia sa, rrethi pikado, kush e qëllon shpërblimi do të jetë deri në 10 mijë euro”, tha Kastrati.

Kastrati tregoi se projekti për regjistrimin e popullsisë është i bazuar në Ligjin për regjistrimin e popullsisë dhe në dy rregullore.

“Për finalizimin e shumë aktiviteteve kontribut shumë të çmuar kanë dhënë përveç institucioneve vendore duke filluar nga Qeveria, ministritë dhe agjencionet dhe institucionet ndërkombëtare…”, tha ai.

Pyetësori do të bëhet publik së shpejti për të gjithë qytetarët dhe do të jetë online për t’i parë pyetjet, derisa regjistrimi i popullsisë do të bëhet edhe për ata që jetojnë jashtë Kosovës, apo diaspora.

“Janë mbajt dy takime të mëdha tërë javën ku kanë qenë të ftuar mbi 200 institucione apo përfaqësuar të tyre. ASK-ja i ka implementuar rekomandimet ndërkombëtare dhe ka një konsistencë nga regjistrimi i kaluar i vitit 2011 për shkak të krahasueshmërisë së pyetjeve”.

Të dhënat finale priten të dalin pas 9 muajsh.