Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Përmbushet 20 përqindëshi për largimin e kryetarëve në veri, caktohet data e votimit

 
   

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se është bërë verifikimi i listave të nënshkrimeve të peticionit për largimin e kryetarëve në katër komunat në veri të vendit. Në raport thuhet se nga listat e pranuara rezulton se në katër komunat, atë të Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicën e Veriut është përmbushur 20 për qindëshi i kërkuar në peticion për të nisur procedurat e largimit të kryetarëve.

Po ashtu u bë e ditur se koha më e përshtatshme për organizimin e procesit të votimit mund të jetë data 21 prill 2024.

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj ka thënë se në komunën e Leposaviqit, lista e nënshkruesve përmban 3 mijë e 30 nënshkrime, ndërsa pas krahasimit me të dhënat e listës së votuesve, rezulton se 2 mijë e 905 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote.

Ai potencoi se në komunën e Zubin Potokut, lista nënshkruese e peticionit përmban 1 mijë e 567 nënshkrime, ku pas krahasimit me të dhënat e listës së votuesve rezulton se 1 mijë e 380 nënshkrues janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote.

Ahmeti: Lista nënshkruese e peticionit përmban 1 mijë e 567 nënshkrime në Leposaviq

“Nga komuna e Leposaviqit sipas shkresës njoftuese të pranuar nga kryesuesi i Kuvendit Komunal lista përmban 3 mijë e 30 nënshkrime të plotësuara në 304 faqe të peticionit. Pas krahasimit me të dhënat e listës së votuesve që është ekstrakt i regjistrit civil të bazuar në numrin personal rezulton se 2 mijë e 905 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në komunën e Leposaviqit. Pra, numri i votuesve për komunën e Leposaviqit është 13 mijë 441 votues, ku 20 për qind e votuesve për këtë komunë i bie të jenë 2 mijë e 686 votues… Sipas shkresës njoftuese të pranuar nga kryesuesi i Kuvendit Komunal lista përmban 1 mijë e 576 nënshkrime të plotësuara në 158 faqe. Pas krahasimit me të dhënat e listës votuese të bazuar në numrin personal, rezulton se 1 mijë e 380 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në komunën e Zubin Potokut. Numri i votuesve për komunën e Zubin Potokut është 6 mijë e 732 votues, ku 20 për qind e votuesve i bie të jenë 1,347 votues”, tha Ahmeti.

Përveç këtyre, Ahmeti theksoi se 20 për qindëshin e kërkuar në peticion e ka përmbushur edhe Zveçani, ku peticionin e kanë nënshkruar 1 mijë e 834 njerëz. Ndërkaq, pas krahasimit me listën e votuesve, ka rezultuar se 1 mijë e 714 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në Zveçan.

Po ashtu, edhe në komunën e Mitrovicës janë mbledhur 3 mijë e 148 nënshkrime në listën e peticionit, ku pas krahasimit me listën votuese ka rezultuar se 3 mijë e 563 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në Mitrovicë të Veriut.

Ahmeti: Koha më e përshtatshme për organizimin e procesit të votimit mund të jetë data 21 prill 2024

“Sipas shkresës njoftuese të pranuar nga kryesuesi i kuvendit komunal lista përmban 1 mijë e 834 nënshkrime të plotësuara në 185 faqe. Pas krahasimit me të dhënat e listës votuese të bazuar në numrin personal, rezulton se 1 mijë e 714 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në komunën e Zveçanit. Numri i votuesve për komunën e Zveçanit është 7 mijë e 52 votues, ku 20% e votuesve për komunë i bie të jenë 1 mijë e 411…Verifikimi i peticionit nga komuna e Mitrovicës së Veriut, ku sipas shkresës njoftuese të pranuar nga kryesuesi I Kuvendit Komunal lista përmban 4,148 nënshkrime të plotësuara në 423 faqe. Pas krahasimit me të dhënat e listës votuese të bazuar në numrin personal, rezulton se 3 mijë e 653 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në Komunën e Mitrovicës së Veriut. Numri i votuesve për komunën e Mitrovicës ë Veriut është 18,199 votues, ku 20 për qind e votuesve për komunën i bie të jenë 3 mijë e 640 votues, andaj këto nënshkrime përbëjnë 20% të votuesve të kërkuar në këtë peticon…Sekretariati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve konsideron se koha më e përshtatshme për organizimin e procesit të votimit mund të jetë data 21 prill 2024”, tha Ahmeti.

Përveç këtij raportimit, anëtarët e KQZ-së kanë miratuar edhe Rregulloret Zgjedhore me numër 05, 08, 10 dhe 11/2024 si dhe vlerësimin vjetor të punës së Zëdhënësit të KQZ-së.