Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Marshojmë s’Festojmë”, tym i kuq e ngjyrë para Qeverisë dhe policisë

 
   

Disa gra kanë nisur marshin në sheshin “Zahir Pajaziti” në nder të Ditën Ndërkombëtare të Gruas i cili u organizua nga Kolektivit “Marshojmë s’Festojmë”.

Protestuesit mbanin pankarta “liri”, “barazi”, “solidaritet”, “Duda ku i ki kufijtë”, referuar deputetes Duda Balje për kundërshtimin e saj ndaj Kodit Civil.

Gjatë këtij marshi u hodh ngjyrë dhe tym i kuq drejt objektit të Policisë dhe Qeverisë, ku të pranishëm ishin një numër i madh i forcave policore. Marshueset kanë tentuar të afrohen drejt ndërtesës së Qeverisë, por janë ndaluar nga forcat e policisë.

Anita Mjeku, aktiviste nga Kolektivi Mendim dhe Veprim Feminist, bëri thirrje për drejtësinë e grave.

Mjeku: Kufiri juaj është larg nesh

“Krah njëra-tjetrës të vetëdijshme krah njëra-tjetrës duke luftuar betejat deri më tani dhe kështu të bashkuara e të organizuara jemi më të forta për ata që na presin këto ditë. Na është thënë madje edhe nga një grua patriarkale, kryetare e komisionit për të drejtat e njeriut në Kuvendin e Kosovës, se ne duhet të kemi kufijtë se deri ku t’i kërkojmë të drejtat tona. Ne jemi këtu për t’ju thënë se kufiri juaj është larg trupave tanë, kufiri juaj është larg nesh. Asnjë deputet nuk ka mandata të cenojë trupat tanë e as të tentojë të kthejë prapa të drejtat e fituara me mund e përpjekje, asnjë polici e as një kordon nuk mund të na ndal për ata që ende kenë dyshime, për betejat e grave dhe vajzave në Kosovë. Vetëm në javët e fundit ne u përballëm me kthimin në rigjykim të vrasësve dhe dhunuesve të Marigona Osmanit.

Kthimin në rigjykim të vrasësit të Sadije Godenit. Deputetë/e që flasin haptas dhe me krenari kundër të drejtës së grave për të vendosur për trupat e tyre. Shkeljen e privatësisë së grave me shpërndarjen e fotografive intime pa lejen e tyre, dhe ngacmimin e shantazhin e tyre nga një grup ku bëjnë pjesë qindra mijëra burra. Sulmin publik ndaj një gruaje, e cila ndau përvojën e saj si e mbijetuar e dhunës në familje, dhe pastaj me mediat që i ofruan hapësirë abuzuesit të saj… Ne besojmë dhe luftojmë për të drejtat tonë për të vendosur për vete për të qenë qenie politike për të vendosur vetë se kush jemi, çfarë duam të bëjmë me veten si duam të kontribuojmë në shoqëri dhe çfarë na takon”, tha Mjeku.

Të njëjtën protestë rrjeti i grave e ka mbajtur edhe vitet e kaluara në Kosovë. Teksa ato shtuan se as këtë 8 mars gratë nuk do të festojnë, por do të marshojnë “për të drejtat e grave dhe vajzave: të drejtën në punë pa diskriminim, të ecim pa u ngacmuar, pa frikë e dhunë, për jetë autonome, e pavarur dhe e fortë”.