Ushtria amerikane ka hedhur ndihma nga ajri në Rripin e Gazës të premten, pasi enklava bregdetare palestineze po përballet me një katastrofë humanitare, raporton Reuters.
Kjo është hera e katërt që ushtria amerikane hedh ndihma nga ajri për palestinezët në Gazë brenda një jave.
Lufta e Izraelit në Gazë kundër Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – i ka detyruar shumicën e popullsisë prej 2.3 milionë të kësaj enklave të zhvendosen brenda vendit dhe ka shkaktuar mungesë të madhe ushqimi, uji dhe barnash.
Presidenti amerikan Joe Biden – i cili njoftoi për hedhjen e parë të ndihmave nga ajri javën e kaluar – tha të enjten se ushtria amerikane do ta ndërtojë një port në Rripin e Gazës, për të mundësuar furnizim më të madh më ndihma në këtë territor përmes detit.
Të martën, SHBA-ja dhe Jordania i hodhën me parashutë më shumë se 36.800 ushqime në Gazë, tha ushtria amerikane.
Furnizimi me ndihma në Gazë, i përkeqësuar prej se nisi lufta më 7 tetor, është kufizuar skajshëm në muajin e fundit. Pjesë të tëra të këtij territori nuk kanë aspak qasje në ushqim.
SHBA-ja i hodhi ndihmat e para nga ajri të shtunën, në bregdetin e Gazës jugperëndimore.
Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje tashmë shumë herë Izraelit të bëjë më shumë për ta lehtësuar katastrofën humanitare në Gazë, ku më shumë se 30.000 palestinezë janë vrarë nga lufta izraelite, e nxitur nga sulmi i Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz dhe u rrëmbyen 250 të tjerë nga pjesëtarët e grupit radikal palestinez, shkruan REL.
Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se një çerek i popullsisë së Gazës është buzë urisë absolute.
Shpresat për të arritur armëpushim para muajit të shenjtë të Ramazanit, i cili nis javën e ardhshme, u zbehën të enjten, kur Hamasi – grupi i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe BE-ja – tha se delegacioni i tij u largua nga Kajro, ku po mbaheshin bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje.
Pjesë e marrëveshjes së armëpushimit do të kishte qenë edhe dërgimi i madh i ndihmave në Gazë.