Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e mbajtur të premten ka vendosur që më 21 prill të mbahet votimi për shkarkim të kryetarëve në katër komunat në veri, Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok.
Pas kësaj ka reaguar Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ai ka thënë se ‘referendumi’ për largimin e kryetarëve të katër komunave më veriore të Kosovës është një tjetër mashtrim i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Ai ka thënë se më 15 mars “do t’i tregojë Miroslav Lajçakut se çfarë është duke planifikuar Kurti”, raporton Kosovo-online.
Këtë vendim të KQZ-së, e kanë mirëpritur ndërkombëtarët, duke i ofruar mbështetje për realizim.
Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën Viola von Cramon ka mirëpritur sot vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) që të votohet pro apo kundër largimit të katër kryetarëve të komunave në veri.
“Unë e mirëpres vendimin e KQZ-së për caktimin e votimit për largimin e kryetarëve të komunave, gjë që do t’i hapë rrugën depërshkallëzimit të mëtejshëm. Të gjithë pjesëmarrësit në proces duhet të kenë trajtim të barabartë dhe të respektojnë procedurat demokratike për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme në veri”, ka shkruar Von Cramon në rrjetin social X.
Për këtë ka reaguar edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.
Szunyog është shprehur se i mbetet KQZ-së të përgatitet për të krijuar kushte për votim të lirë e të drejtë.
“Tani është thelbësore që KQZ-ja të bëjë përgatitjet e nevojshme për të siguruar proces të qetë dhe të krijojë kushte për votim të lirë dhe të drejtë”, ka shkruar ai në platformën X.
Ai ka theksuar se “BE-ja është e gatshme të ofrojë mbështetje përgjatë këtij procesi”.
Teksa shefi i OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, i cili vuri në pah se tash procesi zgjedhor duhet të zhvillohet në mënyrë të drejtë dhe transparente.
“Verifikimi i Komisionit Zgjedhor Zgjedhjeve për nënshkrimet në mbështetje të votave për tërheqjen e kryetarëve në të 4 komunat veriore është një hap i mirëpritur, ashtu si edhe vendimi për caktimin e votimeve. Tani është e rëndësishme që procesi të zhvillohet në mënyrë të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe transparente”, shkroi Davenport.