Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kosova dy vjet pa kryeprokuror, kjo po konsiderohet hendikep në luftën kundër krimit

 
   

Në muajin prill bëhen dy vjet, prej kur i ka përfunduar mandati ish- kryeprokurorit të shtetit. Pasuesi i Aleksandër Lumezit ende nuk është zgjedhur. Pozitën e Lumezit vazhdon ta ushtrojë Besim Kelmendi. Ndërkohë, për postin e të parit të Prokurorisë së Shtetit është propozuar dy herë kandidati Blerim Isufaj.

Për dekretimin ose jo të Isufajt, presidentja Vjosa Osmani akoma nuk ka marrë vendim përfundimtar, ndonëse në tetor të vitit të kaluar, në një konferencë për media, pati thënë se nuk e dekreton të propozuarin e Këshillit Prokurorial. Ajo kishte përmend 10 shkelje që sipas saj, pamundësojnë dekretimin e Isufajt.

Radio Kosova ka pyetur në Presidencë se kur mund të vendoset për dekretimin apo refuzimin e kandidaturës së Isufajt. Por, nga zyra e të parës së shtetit nuk kanë kthyer përgjigje.

Mungesa e vendimmarrjes në rastin Isufaj, nga ana e Presidentes është një qasje e gabuar, vlerëson profesori universitar, Kadri Kryeziu.

“Veprimet e presidentes në këtë rast, mendoj se janë jo-kushtetuese. Procedurat duhet të kryhen në bazë të Kushtetutës dhe ligjit në fuqi. Konsideroj se këto veprime më shumë janë të karakterit politik se sa kushtetues e ligjor. Është një qasje e gabuar për shkak se po bëhen 2 vjet pa kryeprokuror të shtetit”, thekson ai, për RTK.

Kryeziu, ndër të tjera thekson se mos zgjedhja e kryeprokurorit të ri, ka efekte negative.

“Ndikon negativisht në ndjekjen e krimit dhe efikasitetin në punë. Po ashtu, është e pa drejtë të ndërhyjë politika, kryeministri apo presidentja në institucionet e pushtetit gjyqësor”, potencon Kryeziu.

Ndërsa, Viona Bunjaku, nga Lëvizjen “Fol”, thotë se mungesa e një afati ligjor po mundëson vonesat në zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit. Nëse sërish refuzohet kandidati Isufaj, duhet shpallur konkurs i ri, pohon Bunjaku.

“Nëse refuzohet edhe në herën e dytë, Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet të shpallë konkurs të ri dhe të fillojnë procedurat e reja. Kjo nuk i kontribuon aspak vendit, pasi vendi është pa kryeprokuror të shtetit tash e gati dy vjet. Normalisht, shumë procese ndoshta janë të bllokuara edhe pse kemi një ushtrues detyre të kryeprokurorit të shtetit”, tha ajo.

Këshillin Prokurorial nuk kanë kthyer përgjigje, nëse iu është kërkuar nga Presidenca apo institucione të tjera që të shpallet konkurs i ri për zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit, si dhe shpallja e konkursit të ri do të jetë hapi i radhës.

Ndërkohë, në konkursin e fundit, përveç kandidatit Blerim Isufaj, në garë për kryeprokuror të shtetit ishin edhe Shqipdon Fazliu, Kujtim Munishi, Armend Hamiti e Lulzim Sylejmani.