Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Fillimi i punimeve në rrugët regjionale e nacionale, PDK e LDK i sheh si fillim të fushatës zgjedhore

Fillimi i punimeve në rrugët regjionale e nacionale po konsiderohet nga partitë opozitare si fillim i fushatës zgjedhore nga ana e partisë në pushtet.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, thonë se ajo çka ka bërë qeveria deri më tani në aspektin ekonomik është vetëm ndarja e skemave sociale dhe nuk ka pasur investime e zhvillim ekonomik.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala, ka thënë se fillimi i punimeve të këtyre rrugëve të cilat për vitet të tëra kishin ngecur, është për të vetmin qëllim “përgatitje për fillimin e fushatës zgjedhore”.

Sipas tij, këto rrugë do të duhej që të përfundonin shumë kohë më parë dhe se tani qeverisë i ka skaduar afatin kohorë dhe e ka të pamundur ti përuroj ato projekte të kryera.

“Vetëm për faktin e fillimit të punimeve në rrugët regjionale dhe nacionale të cilat tash e katër vite kanë stopuar ose kanë ngecur, e meriton ky vend që ta dinamizoj çështjen e zgjedhjeve të parakohshme për shkak që një farë forme e ka dinamizuar edhe qeveri në këtë vit të fundit të saj duke filluar disa prej projekteve të cilat, është dashur që të jenë të përfunduara. Veçanërisht rrugët regjionale, rrugët nacionale. Të gjitha këto janë pjesë e përgatitjes për fillimin e fushatës elektorale dhe me filluar edhe pse kjo qeveri tash më ka skaduar afatin kohorë dhe e ka të pamundur ti përuroj ato të kryera”, ka thënë ai.

Deputeti i PDK-së, thekson se gjitha këto rrugë është e pamundur që të përfundojnë ashtu siç është duke premtuar kjo qeveri.

Sipas tij, qeveria është karakterizuar me mungesë projektesh e me mungesë investimesh.

“Është e pamundur që gjitha këto rrugë që janë, qoftë ajo për Mitrovicë, qoftë për Pejë, qoftë për Gjilani ose rruga për Gjakovë, rruga tjetër për Besianë, është e pamundur që me këtë vit kalendarik të përfundojnë. Kjo qeveri është karakterizuar me mungesë projektesh, me mungesë investimesh, me jo shfrytëzim të buxhetit e veçanërisht të kategorisë së buxhetit në investime kapitale. Gjithçka çka kemi parë deri tani në kuptimin ekonomik janë skemat sociale”, ka thënë ai.

Deputetja e LDK-së Valentina Bunjaku-Rexhepi, se rifillimi i këtyre projekteve është tipike fushatë elektorale e qeverisë, sipas saj, në çdo komunë ka mungesë të investimeve kapitale nga ana e qeverisë.
Ajo ka thënë se kjo qeveri ka ardhur me kauza të rrejshme.

“Tipik fushatë elektorale është kjo, sepse tri vite kanë kaluar dhe investimet kapitale janë zero. Merren shikone gjithë ministritë dhe në komuna janë investimet kapitale zero. Sa i përket magjistraleve është mjerim rruga Gjilan-Prishtinë. Po harron kjo qeveri që taksapaguesit janë qytetaret e Kosovës dhe mjete e tyre duhet të kthehen ne investime kapitale dhe nuk janë mjetet të tyre personale por duhet të investohen. Ju e dini rrugën Gjilan-Prishtinë se sa aksidente behën dhe sa e ngarkuar është ajo rrugë”, u shpreh ajo.

“Sipas qeverisë kanë thënë që do të këtë zhvillim ekonomik, sipas Qeverisë do të këtë shëndetësi të mirëfillte, sipas qeverisë kanë thënë që jemi duke fjetur në rrymë, sipas qeverisë as një qytetar, as një i ri e re nuk do ta lëshoj Kosovën, ndërsa po e lëshojnë Kosovën edhe profesionistët më të mirë të vendit. Kjo qeveri ka ardhur me kauza të rrejshme dhe si ka ardhur edhe do të shkojë”, ka thënë ajo.