Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në një familje në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë, ku një person po dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur në shtëpinë e tyre, kur pas një debati verbal, i dyshuari ka ushtruar dhunë psikike ndaj gruas, duke i shkaktuar shqetësim e frikë.
Përballë kësaj situate, viktima e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka rrëfyer për atë që ka ndodhur mes tyre.
Si rezultat i raportimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.