Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Stuhia ciklonare godet Shqipërinë, Lajda Porja: Zonat ku situata pritet të jetë alarmante…

Stuhia ciklonare që ka përfshirë Shqipërinë, pritet që të jetë problematike për veri-perëndimin dhe qendrën e vendit kryesisht gjatë mesditës.

Në një lidhje direkte për Klan News, sinoptikania Lajda Porja shprehet se disa zona të vendit, do të përfshihen nga rrebeshe shiu me stuhi të forta ere.

Lajda Porja: “Dita më problematike është dita e sotme edhe pse ka nisur me vranësira, të paktën në veri pritet që nga ora në orë të kemi shtim të intensitetit të reshjeve. Parashikohet që reshjet të jenë problematike nga ora 12:00 deri në orën 16:00. Kryesisht veri-perëndimi dhe qendra do të ketë rrebeshe shiu, shoqëruar herë pas here me stuhi të forta ere. Reshjet do të jenë edhe në formën e shtrëngatave duke sjellë probleme në disa zona të veri-perëndimit, në zonat e Shkodrës dhe nën Shkodrës.

Po ashtu, Kruja, Tirana, Elbasani. Pas orës 16:00, presim të kemi shtim të intensitetit të reshjeve, kryesisht në zonat jugore, ku do të jetë Gjirokastra, Vlora, Përmeti dhe Saranda që do të marrin rrebeshe shiu, të paktën deri në orët e vona të mbrëmjes. Deri sonte në orët e vona të mbrëmjes, moti do të jetë problematik në disa zona të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë dhe sidomos përgjatë Ultësirës Perëndimore duke sjellë lokalisht dhe reshje intensive, herë pas here shoqëruar me stuhi detare. Jane ciklone tropikale, të cilat janë prodhuar dhe gjatë ditës së djeshme për shkak të temperaturave shumë të larta që kemi përjetuar dje. Ndërkohë temperaturat vijojnë të jenë të larta edhe pse kemi reshje, 20 apo mbi 20 gradë Celsius”.

Por cilat janë zonat më problematike dhe në cilat fasha orare do të jetë situata alarmante përsa i përket kushteve të motit?

Lajda Porja: “Shkodra ka problemin nga ora 12:30-13:00 deri në orën 15:00 apo 16:00, ky është intervali ku do të ketë intensitetin më të lartë të reshjeve. Ndërkohë, Tirana është pas orës 13:00 deri në orën 16:00, ku mbetet problematike situata. Jugu nuk është problematik përgjatë paradites, ndërkohë pas orës 16:00, pritet një intensifikim i zonave jugore, por sërish mbetet veriu dhe qendra epiqendra e kësaj stuhie ciklonare që ka përfshirë Shqipërinë dhe jo vetëm Shqipërinë, por edhe një pjesë të mirë të Ballkanit”.

Pritet që nga e marta të kemi një përmirësim të reshjeve, por sërish moti do të jetë i paqëndrueshëm deri ditën e premte e mesa duket 14 Marsi, siç e thotë edhe sinoptikanja Porja nuk do të jetë një ditë ideale Vere.

Lajda Porja: “Ka një përmirësim të situatës së reshjeve të martën dhe të mërkurën, reshjet që do të mbeten prezente, do të jenë në sasi të pakëta. Situata më problematike do të paraqitet sot. Kemi ditën e enjte, reshje të izoluara edhe është Dita e Verës nuk do të jetë ideale Vere, do të ketë vranësira, do të ketë herë pas here momente me reshje. Nuk mund të themi situatë alarmante dhe problematike sikundër presim sot pasdite, por do të jetë një mot i paqëndrueshëm. Të premten dhe në fundjavë, do të kemi përmirësim të motit. Nuk ka ndryshim kolosal. Duke filluar nga e marta dhe deri ditën e premte, do të kemi luhatje të lehtë të temperaturave do të jenë tipike të pranverës, ku maksimalet do të jenë 18-19 gradë Celsius. Mëngjeset janë relativisht të ngrohta. Reshjet do të jenë kryesisht shiu në të gjithë territorin”.