Palestinezët e filluan të hënën agjërimin e Ramazanit, muajit të shenjtë të myslimanëve, i cili i gjeti në një kohë kur bisedimet për një armëpushim kanë ngecur dhe kriza e urisë është keqësuar në Rripin e Gazës.
Luftës tashmë pesëmujore mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – nuk po i shihet fundi.
Palestinezët e falën namazin jashtë ndërtesave të rrënuara të dielën në mbrëmje.
Ata i dekoruan shatorret e tyre të stërmbushura, ndërsa në një video të publikuar nga një shkollë e OKB-së e shndërruar në strehimore, fëmijët shihen duke vallëzuar me muzikën e një burri që këndonte me altoparlant.
Por, kishte shumë pak për të festuar pas pesë muajsh luftimesh që ua kanë marrë jetën mbi 30.000 palestinezëve dhe e kanë rrënuar shumicën e Gazës. Familjet zakonisht e prishin agjërimin me iftar festiv, por madje edhe në vendet ku ka ushqim, shumica është ushqim i konservuar dhe çmimet janë tejet të larta për shumicën.
“Nuk mund ta shohësh askënd të gëzuar”, tha Sabah al-Hendi, i cili po blinte ushqim të dielën në qytetin Rafah.
“Çdo familje është e trishtuar. Çdo familje e ka një martir”, shtoi ai.
Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari kishin shpresuar se do ta ndërmjetësonin një armëpushim para muajit të agjërimit nga agimi deri në muzg, në të cilin do të përfshihej edhe lirimi i dhjetëra pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë, si dhe futja e sasive të mëdha të ndihmave humanitare, por bisedimet ngecën javën e kaluar.
Hamasi po kërkon garanci se një marrëveshje e tillë do të cojë drejt përfundimit të luftës, derisa kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar se do ta vazhdojë ofensivën deri në “fitore të plotë” kundër grupit radikal dhe deri në lirimin e të gjitha pengjeve të mbetura.
Lufta nisi kur pjesëtarët e Hamasit u futën vrullshëm në jug të Izraelit më 7 tetor, ku i vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i morën mbi 250 pengje. Besohet se Hamasi është duke i mbajtur ende rreth 100 pengje.
Lufta i ka detyruar 80 për qind e popullsisë prej 2.3 milionë të Gazës të ikin nga shtëpitë e tyre dhe i ka shtyrë qindra mijëra njerëz drejt urisë absolute. Zyrtarët shëndetësorë në Gazë thonë se së paku 20 njerëz, kryesisht fëmijë, kanë vdekur nga kequshqyerja apo dehidrimi në veri të Gazës.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka pranuar në mesazhin e tij vjetor për Ramazanin se muaji i shenjtë erdhi “në një kohë të dhimbjes së madhe”.
“Derisa myslimanët përreth botës mblidhen në ditët dhe javët në vijim për ta prishur agjërimin, vuajtjet e popullit palestinez do jenë shqetësimi i parë i shumë njerëzve. Ata janë shqetësimi im, po ashtu”, tha Biden.
Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera kanë filluar të hedhin ndihma nga ajri në Gazë javët e fundit, por grupet humanitare thonë se përpjekjet e tilla janë të kushtueshme dhe të pamjaftueshme.
Ushtria amerikan gjithashtu ka filluar të dërgojë pajisje për ndërtimin e një ure detare për dërgimin e ndihmave në Gazë, por ndërtimi i saj do të marrë disa javë kohë.
Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë ndihmë vendimtare ushtarake Izraelit dhe e kanë mbrojtur nga thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, derisa i kanë bërë thirrje Qeverisë izraelite të bëjë më shumë për ta shmangur dëmtimin e civilëve dhe objekteve humanitare./rel