Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vrasja e Pëllumb Metës, në armë gjenden gjurmë të djalit të vogël të familjes, Amarildos

Ka marrë një tjetër rrjedhë hetimi në lidhje me vrasjen e Pëllumb Metës.

Këtë të hënë në policinë e Durrësit kanë ardhur rezultatet e analizave nga laboratori i kriminalistikës, për sa i përket shenjave të gishtërinjve, të gjetura në armën e zjarrit me të cilën u qëllua 50-vjeçari.

Në pistoletë ekspertët kanë gjetur gjurmët e djalit të vogël të familjes, Amarildo Metës, i cili deri më tani ishte përjashtuar nga hetimet si autor i vrasjes.

Shenjat e gishtërinjve janë gjetur në dorezën e pistoletës, ndërsa më herët ai kishte deklaruar se nuk ndodhej në banesë, në momentin kur u vra babai.
Prokuroria madje e ngarkoi vetëm me veprën penale të “Fshehjes dhe asgjësimit të kufomës”.

Vetëm 2 ditë më parë, prokuroria e Durrësit ka kryer edhe një eksperiment hetimor.

Të tre fëmijët e tij, Hysen, Amarildo dhe Hygerta Meta si dhe bashkëshortja e të ndjerit, Blerina, janë dërguar në një poligon për të bërë qitje me armë.

Ky eksperiment hetimor është ndërmarrë për të përcaktuar, se cili prej tyre qëlloi me 4 plumba në drejtim të Pëllumb Metës, për shkak të dëshmive kontradiktore që kanë dhënë fëmijët gjatë hetimeve paraprake.

Nga eksperimenti ka rezultuar, se Hygerta Meta ka qenë në gjendje të mbushë armën, por nuk ka arritur të qëllojë në shenjë, ndërsa Hysen Meta, për të cilin grupi hetimor beson se është ekzekutori, ka refuzuar të qëllojë duke thënë se nuk di të mbajë armë. Eksperimentin e kanë bërë dhe Blerina Meta dhe Amarildo Meta të cilët kanë thënë se s’kanë mbajtur kurrë më parë armë në dorë.

Prokuroria dhe policia e Durrësit thonë se vijojnë hetimet, ndërsa ngjarja e rëndë u regjistrua në Shënvlash më 10 shkurt, por u zbulua disa ditë më pas, pasi fëmijët denoncuan në polici, se i ati i tyre ishte zhdukur.

Pas vrasjes, ata së bashku me nënën e tyre e groposën trupin e 50-vjeçarit në kasollen pranë banesës./euronews.al/