Në prag të 25-vjetorit të sulmeve të NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë, ish-zëdhënësi i NATO-s, gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea thekson se ishte vendim i duhur bombardimi i forcave serbe në vitin 1999, ndërsa tani situatën në Evropë e konsideron mjaft të rrezikshme. Ndërkohë, Shea u shpreh se BE-ja duhet t`i heqë masat ndaj Kosovës, kurse anëtarësimi në NATO i Kosovës duhet të ndodhë më shpejt.
Sipas tij, masakra në Reçak shënoi pikën kthyese në brutalitetin e saj dhe regjimi i Millosheviqit kishte refuzuar paqen e kompromisit. Ai në një intervistë për ‘RTKlive’, thotë se populli i Kosovës gjatë 25 viteve ka qenë në gjendje të jetojë në paqe dhe siguri tregon se ndërhyrja e NATO-s pati sukses. Në këtë intervistë ai flet për mohimin e krimeve që Serbia i ka kryer ndaj popullit të Kosovës.
“Është përgjegjësi e çdo shteti të pajtohet me historinë e tij, si të keqe ashtu edhe me të mirë. Pra, të përpiqesh të mbulosh fakte të forta me mohime, shtrembërime dhe kundër akuza është një abdikim i përgjegjësisë politike në një kohë kur kaq shumë vende të tjera në Evropë e kanë pranuar publikisht anën e errët të historisë së tyre, pavarësisht nëse ka të bëjë me tregtinë e skllevërve, deportimin e hebrenjve”, tha ai.
Për mundësinë që Kosova të jetë pjesë e NATO-s, në një të ardhme të afërt, Shea thotë se procesi mund të duket i ngadaltë, por duhet ta zgjidhet shpejt çështja e njohjes së Kosovës nga çdo aleat dhe atëherë gjërat do të shkojnë shumë më shpejt. Ai tha se Kosova duhet të imitojë shtetet baltike për anëtarësim në NATO. Ai ka folur edhe për buxhetin e mbrojtjes. “Synimi i NATO-s është që të shpenzojë 2% të PBB-së për mbrojtje dhe ky do të ishte një objektiv i mirë për të ecur edhe Kosova”, theksoi ai.
Shea tha se BE-ja duhet të heqë urgjentisht sanksionet që i ka vendosur Kosovës për shkak të situatës në veri të vendit.
Ndërsa sa i përket efektit që mund të kenë zgjedhjet që do të mbahen në SHBA në dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Shea tha se parashikimet janë gjithmonë të rrezikshme, por nuk beson se zgjedhjet në SHBA dhe Evropë këtë vit do të ndryshojnë qasjen ndaj dialogut. “Kur ishte në Shtëpinë e Bardhë herën e fundit, Donald Trump punoi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe madje i ftoi dy presidentët në një samit në Uashington. Megjithatë, SHBA dhe Evropa duhet të jenë të vendosura me Serbinë kur bëhet fjalë për kontrollin e aktiviteteve të forcave paraushtarake në territorin e saj dhe për të ndaluar ndërhyrjen në veri të Kosovës. Të jesh i arsyeshëm me Beogradin dhe të ofrosh karrota ka kuptim vetëm nëse Beogradi tregon një qasje më pajtuese”, tha Shea për transmetuesin publik.