Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vendimi për kompensimin e rrymës në veri, Gërxhaliu: Po shtohet kredibiliteti i qytetarëve përballë Kushtetueses

 
   

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu duke komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për kompensimin e qytetarëve për pagesën e faturave në veri, tha se me këtë vendim i erdhi fundi një padrejtësie që sipas tij, e ka goditur qytetarin e Kosovës.

Pavarësisht që sipas Gërxhaliut, ky vendim është paksa i vonuar, ai tha se është i merituar nga qytetarët e vendit.

“I erdhi fundi një padrejtësie e cili vërtetë e ka goditur qytetarin e Kosovës. Një vendim i vonuar por besoj i merituar, sepse në qoftë se përveç dëmeve materiale të cilat u janë shkaktu qytetarëve të Kosovës, është një vlerë morale e cila vërtetë e ka vlerën e pa kontestuar”, tha Gërxhaliu.

Madje ai theksoi se duhet falënderuar edhe guximi i Avokatit të Popullit për adresimin e kësaj çështje, dhe se me këtë vendim sipas Gërxhaliut, po shtohet  kredibiliteti i qytetarëve përballë Gjykatës Kushtetuese.

“Në këtë drejtim duhet të falënderohet guximi i Avokatit të Popullit të adresojë një problem të tillë dhe definitivisht po shtohet kredibiliteti i qytetarëve përballë Gjykatës Kushtetuese. Përkundër asaj që politika është njëfarë forme duke atakuar, por e vërteta është se qytetarët e Kosovës tani mund ta ndjejnë vetën më komod. Dua të besoj që presioni duhet të ngritet në rend të parë duke kërkuar përgjegjësi pse ka ndodh një gjë e tillë. E dyta të gjindet modaliteti i përshpejtuar i kthimit të këtyre mjeteve, sepse jemi në një kohë të inflacionit dhe ngritjes së çmimeve. Dhe besoj që tani është koha kur duhet të mendohet që sa më shpejtë të kompensohen këto dëme që iu  kanë bërë qytetarëve”, tha më tej Gërxhaliu

Ndryshe,Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ka publikuar sot aktgjykimin lidhur me kërkesën e dërguar Zyra e Rregullatorit të Energjisë e cila ka kërkuar që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Arj.nr.116/2022] të 9 marsit 2023 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, lidhur me kompensimin e pagesës për faturat në veri.