Sot mblidhen gjashtë komisione, për të diskutuar dhe shqyrtuar çështje të ndryshme.
Nga ora 10:00, Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport diskuton mbi gjendjen e edukimit fizik, shëndetësor dhe sportiv të nxënësve në shkollat e të gjitha niveleve në Republikën e Kosovës. Raportojnë Arbërie Nagavci, ministre e MAShTI dhe Musa Selimi, dekan i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit.
Në ora 10:30, Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal bën shqyrtimin në parim të Projektligjit për shqyrtimin administrativ të akteve të komunës; si dhe shqyrtimin në parim të Projektligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës.
Më pas në ora 11:00 takohet Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, i cili shqyrton Projektligjin për promovimin e përdorimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë; themelohet Grupi i punës për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për ndërmarrje publike etj.
Në po të njejtën orë, pra nga 11:00, vijon Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, i cili zhvillon diskutim mbi zbatimin e rekomandimeve, nga Organizatat buxhetore, në veçanti ato të dhëna nga Kuvendi/ Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike gjatë vitit 2022/2023. E ftuar auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca.
Nga ora 13:00, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione bën shqyrtimin dhe miratimin e draft-planit të punës së Komisionit për sesionin pranveror të vitit 2024.
Për orën 13:00 është përcaktuar edhe mbledhja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, i cili bën shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Drejtësia”, etj.