Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Bashkëshortja e Agonis Tetajt heq dorë nga dëmshpërblimi, kërkon që të vendoset drejtësia

 
   

Gjatë ditës së sotme është zhvilluar seanca e radhës gjyqësore lidhur me vrasjen e Agonis Tetaj.

Në fjalën e saj para trupit gjykues, bashëkshortja e të ndjerit Albesa Cacaj, ka hequr dorë nga kërkesa pasurore-juridike në shumën 628 mijë euro, kërkesë kjo e specifikuar në seancën e kaluar nga mbrojtësi i viktimave, Luan Mehmetaj.

Cacaj deklaroi se sa i përket çështjes së kompensimit, mendon se ka ndodhur një gabim i madh, duke shtuar se për të është e rëndësishme të vendoset drejtësia e të mbyllet çështja penale.

‘“Unë së bashku me familjen time dhe njerëzit që më kanë qëndruar pranë gjatë këtyre pesë viteve, do t’i drejtohem gjykatës në çështje civile. Gjithmonë zotin Luan, e kam autorizuar që të bëjë kërkesën dhe të mos heq dorë nga e drejta legjitime që më takon si e dëmtuar, por jo të bëjë specifikime ose përllogaritje siç ka bërë në seancën e kaluar, e që tek unë dhe familja ime dhe njerëzit që më njohin ka ndikuar keq”, tha e dëmtuara Cacaj.

E dëmtuara kërkoi se kërkesa e paraqitur nga mbrojtësi i viktimave Luan Mehmetaj, në seancën e kaluar të mos merret si kërkesë e familjes së ngushtë, pra të dëmtuarës së bashku me fëmijët e saj.

Theksojmë se më 14 tetor 2022, Gjykata Themelore në Pejë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj, duke e dënuar  me 7 vite e 6 muaj burgim për vrasje nga pakujdesia të Agonis Tetajt.

Gjykata e Apelit më 23 mars 2023 kishte shqyrtuar ankesat e mbrojtësit të Gogajt, avokatit Besnik Berisha, palës së dëmtuar, avokatit Berat Tmava dhe ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan. Kurse, pas shqyrtimit të ankesave, Apeli më 23 mars 2023 e ka kthyer lëndën në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 12 qershor 2019, Shaban Gogaj akuzohet se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:04, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetajn dhe me këtë ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve A.H dhe F.Z.