Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Escobar : Dialogu në moment kritik – vendimi për dinarin ishte katastrofik

Zëvendësndihmës Sekretari për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike i SHBA-së, Gabriel Escobar në një konferencë për media online, ka folur për çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, dhe vendimin e BQK-së për dinarin serb.

Escobar i cili të dielën ka arritur në Bruksel dhe këtë javë do të qëndroj për vizitë edhe në Prishtinë, ka thënë se në Bruksel kishte diskutime të thella me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Prej Brukselit do të udhëtojmë në Prishtinë ku do të fokusohemi për efektet dhe një zgjidhje të mundshme për vendimin e pakoordinuar për dinarin…”, ka thënë Escobar, transmeton Telegrafi.

Ai ka shtuar se procesi i dialogut është në një moment kritik, dhe “më duhet të them se nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

“ I inkurajoj të dyja palët të implementojnë marrëveshjet e arritura sidomos atë të arritur në Ohër. Kjo është njëra ndër arsyet primare që po vizitojë Kosovën”, tha ai.

Escobar u shpreh se “duke injoruar dialogun Kosova po injoron partnerët evropianë”.

Sa i përket vendimit të BQK-së për dinarin serb, Escobar u shpreh se i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të marrin seriozisht rekomandimet e tyre.

“Ne nuk po e vëmë në diskutim legjitimitetin e vendimit, por zbatimin e tij. Ne kemi nevojë që Qeveria e Kosovës të bashkëpunoj me komunitetin ndërkombëtar që të gjejmë një zgjidhje për këtë vendim që ishte katastrofik”, tha Escobar.