“Vendim i qëlluar”.
Kështu po e vlerëson anëtarja e Komisionit për Ekonomi, Valentina Bunjaku-Rexhepi vendimin e Kushtetueses për kompensimin e qytetarëve për rrymën në veri.
Deputetja nga radhët e LDK-së tha se në formë të dhunshme nuk mundësh ti mbingarkosh qytetarët për të paguar për dikë tjetër rrymën.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetutës është i drejtë, i qëlluar dhe mbron të drejtat e konsumatorëve. Nuk mund të mbingarkosh asnjë qytetar të paguajë për dikë tjetër, në formë të dhunshme”, tha ajo.
Këto janë tre hapat që duhet të merren pas vendimit të Kushtetueses, sipas Bunjaku-Rexhepit.
“Tash duhet menjëherë të diskutohen format e kompensimit të qytetarëve, në forma si: 1) për çdo muaj, të hiqet një shumë e caktuar deri në vitin kur kompensohen në plotëni;
2) kthimi i mjeteve për çdo konsumator të regjistruar në llogarinë bankare të ndonjë anëtari të amvisërisë shtëpiake, pasi dikush e ka faturën në emrin e gjyshit dhe gjyshi mund të jetë i vdekur e nuk ka llogari bankare post mortum;
3) faturat e reja të vijnë më pak në përputhje me shumën totale financiare për Veriun”, deklaroi Bunjaku-Rexhepi.
Avokati i Popullit kishte paraqitur padinë për anulimin e këtij vendimi dhe kompensimin e dëmit për konsumatorët.
Pas vlerësimit të pretendimeve të Avokatit të Popullit, Gjykata Themelore, Apeli dhe Supremja kanë konfirmuar se vendimi i ZRrE-së ishte i kundërligjshëm dhe kanë urdhëruar kthimin e shumës së faturuar.
“Rrjedhimisht, Gjykata, duke aplikuar kriteret dhe parimet e elaboruara përkitazi me vendimin e arsyetuar gjyqësor, dhe në veçanti duke u bazuar në interpretimin e dhënë përmes Aktgjykimeve të gjykatave të rregullta të kontestuara para Gjykatës, konstatoi që të njëjtat kanë adresuar dhe u janë përgjigjur të gjitha pretendimeve thelbësore të parashtruesit të kërkesës të ngritura përmes përgjigjes në padi, përkatësisht ankesës, si dhe kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, dhe konstatoi që Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, nuk është në kundërshtim me dispozitat e kontestuara të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.