Në kuadër të vizitës në NATO, krediplomatja Donika Gërvalla dhe delegacionit nga Kosova kanë vizituar Misionin e Përhershëm të Shqipërisë në NATO ku u pritën nga ambasadori Ilir Gjoni dhe Përfaqësuesi Ushtarak në Komitetin Ushtarak, Ilir Pujo.
Sipas komunikatës së MPJ-së së, fillimisht Gërvalla është pritur në takim të përbashkët nga Gjoni dhe Pujo, për të vazhduar me tutje në një takim të përbashkët me strukturat civile dhe ushtarake të Shqipërisë në NATO.
“Gjatë këtij takimi Ministrja Gërvalla vlerësoi lartë rolin e Shqipërisë si anëtare e NATO-s në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor si dhe shprehu falënderimet për mbështetjen ndaj Kosovës në rrugën e saj të integrimit euroatlantik”, thuhet në njoftim.
“Ministrja Gërvalla përgëzoi Shqipërinë për të arriturat e fundit në fushën e sigurisë duke përfshirë inaugurimin e Bazës Ajrore Taktike të NATO-s në Kuçovë si një pikë e rëndësishme gjeostrategjikë jo vetëm për Shqipërinë por për gjithë rajonin dhe me gjerë”.