Xhuljana dhe Age, dy breza të ndryshëm, por i bashkon pasioni për të ruajtur traditat e vendit tonë. Nëpërmjet çiftelisë ato janë bërë mjaf virale edhe në rrjetet sociale. Ditën e sotme, kanë rrëfyer në “Vizioni i Pasdites” të moderuar nga Brikena Prifti se si janë njohur dhe si ka lindur dëshira për tu bërë bashkë.
Pjesë nga biseda
Brikena Prifti: A ja u vënë njerëzit në dukje kostumet të cilat janë mjaft interesante?
Xhuljana Gjini: Gjithmonë kur kemi aktivitete folklorike ne vishemi me kostumet tona tradicionale. Përfaqësojmë çdo krahinë jo vetëm të Mirditës.
Brikena Prifti: Janë të vështira për tu mbajtur?
Age Ndoj: Pak janë, por jemi mësuar. Kam qenë 16 vjeç kur e kam veshur.
Xhuljana Gjini: Është krenari dhe privilegj i madh sepse përfaqësojnë jo vetëm krenarinë tonë, por edhe brezat e rinj e shikojnë se si ne e trashëgojmë. Ne na kanë bërë një ftesë që të marrin pjesë në një xirim videoklipi dhe aty jemi njohur për herë të parë. Unë nuk e kam të trashëguar instumentin e çiftelisë sepse asnjë nga familja ime nuk i binte. E kam pasur të vështirë sepse nuk e kam mësuar që fëmijë, kam qenë 20 vjeç. Po pasioni i madh…është diçka që më buron nga zemra, më drithëron trupin. Kur shikoja të tjerë që i binin çiftelisë thoja ose do ta mësoj ose vdes (qesh).
Age Ndoj: Unë nuk i bie çiftelisë, por kam pasion për të kënduar. Muzikën e kam pasur qejf që e vogël dhe kam qenë gjithmonë me grupe artistike. Në këtë moshë, edhe pse moshë e madhe i kam hyrë…zemra dhe shpirti nuk iu ndanë dhe e dashuroj muzikën.
Xhuljana Gjini: Kur hodhëm videon në rrjete sociale, të gjithë kanë meduar se është mamaja ime. Kemi një muaj që njihemi.
Age Ndoj: Por e dua si vajzën time. Është vajza ime e gjashtë.
Xhuljana Gjini: Më kanë ardhur oferta që të këndoja, të merrja pjesë në fejesa, gëzime familjare.
Age Ndoj: Unë jo, nuk e kisha menduar që do bëheshim virale në rrjete sociale.
Age Ndoj zbuloi në studio se është nëna e këngëtares së njohur Xhesika Ndoj, e cila ka ndjekur hapat e së ëmës.
Age Ndoj: Për të arritur aty ku duhet, duhet punë, por ka arritur mjaft.
Xhuljana Gjini: Babi im gjithmonë ka qenë pro, edhe mamaja dhe familja më mbështesin. Por ishin më shumë me idenë që të shkollohesha dhe të jem femër e shkolluar. Por është diçka që më buron nga shpirti dhe tani që punoj vetë, i mbuloj vetë shpenzimet e mia, nuk do ta lë pas dore.
Zonja Age thotë se nuk e ka menduar të mësojë t’ bjerë çiftelisë, megjithatë nuk e përjashton si mundësi./vizionplus.tv