Reagim e masa ndaj Serbisë po shihen si të domosdoshme pas publikimit të fotografisë ku shihen në takim i kërkuari nga Interpol-i, Milan Radoiçiq dhe ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq.
Javën e kaluar në rrjete sociale u publikua një fotografi, ku shihen Radoiciq e Gjuriq, por detaje për vendin e kohën e takimit nuk dihen ende.
Takimi i tyre nxiti reagime të shumta, ndërkohë që për herë të parë, foli edhe kryeministri Albin Kurti, i cili kritikoi mosreagimin e ndërkombëtareve për këtë dhe djegien e pronave të nënkryetares së komunës së Zvecanit ditë më parë.
“Sulmi ndaj nënkryetares së Zveçanit, Tomaniq nuk ndodhi në vakum. Njëjtë siç pamjet e kriminelit e terroristit Millan Radoiçiq, duke terrorizuar komunitetin serb dhe pastaj takimin me Ambasadorin e Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po ashtu nuk ndodhën në vakum. Në njërën anë, këto paraqesin përpjekjen e vazhdueshme të Serbisë, në bashkëpunim me Federatën Ruse, për destabilizimin të Kosovës dhe të rajonit tonë, por janë edhe pasojë direkte e mos ndëshkimit të Serbisë për sponzorimin dhe orkestrimin e sulmit terrorist të paramilitarëve nga Serbia në Banjskë. Millan Radoiçiq është i lirë dhe i mbrojtur në Serbi e nga Serbia”, ka deklaruar kryeministri Kurti.
Ndërkohë që fajin për mosreagim të duhur të institucioneve ndërkombëtare, deputetët e opozitës ia lënë vetë kryeministrit Kurti.
“Qeveria e Kosovës duhet të mendojë mirë sa herë që të merr një vendim, e sidomos vendimet e pamatura sic është cështja e dinarit, uëne thash edhe në Debat mendoj se cështja e dinarit e ka zhvendosur cështjen e Banjskës e tash në forumet nuk gjykohet Serbia për Banjskën, por gjykohet Kosova për dinarin…Ndërkombëtaret nuk reagojnë, ashtu sic duhet sic ne presim sepse ata kanë reguar, meqenëse ata i dinë lidhjen e ngusht në mes zyrtarëve serb dhe kriminelve atje, ka deklaruar Rashit Qalaj – Deputet i PDK-së.
“Qeveria Kurti, në shumë raste , veprimet e Beogradit kundrejt Kosovës nuk i adreson dhe materializon në rrafshin politik dhe diplomatik. Si duket është e prirur të prodhoj tema me të cilat i mbulon dhe i amneston veprimet e Beogradit. Edhe takimin në mes te Radojciqit dhe Gjuriqit e hesht, ngase me të njëjtin person vetë Qeveria kishte zhvilluar biseda telefonike dhe relacione nëpërmjet të deleguarve. Kështu që heshtja për rastin është heshtje për vet relacionet e mëhershme me Listen Srpska dhe kreun e saj Radoiciq. Kjo mendësi për ta ruajtur kredibilitetin e Qeverisë dhe partisë në pushtet në fakt po e mban Kosovën në pozitë inferiore për të gjykuar dhe aq më shumë për të kërkuar veprime nga komuniteti ndërkombëtar”, ka deklaruar Anton Quni – Deputet i LDK-së.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano i cili ditë më parë kishte thënë se nuk i komentojnë veprimet e politikanëve, sot ka folur për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, duke thënë se presin raport të detajuar nga Kosova.
“Afatet kohore të hetimeve sigurisht se janë në duar të autoriteteve relevante të Kosovës. Ishte një sulm brutal dhe i dënueshëm në territorin e Kosovës dhe autoritetet e Kosovës janë duke hetuar. Qëndrimi i BE-së është se pos dënimit të sulmit ka kërkuar qartësim në formë të një hetimi të plotë. Qëndrimi është se po presim përfundimin zyrtare të hetimeve nga autoritetet e Kosovës. Kur të jetë i gatshëm raporti e duke u bazuar në të, ne vendosim hapat tona apo qëndrimin”, ka deklaruar Stano.
Ish-drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë është emëruar ambasador në Uashington më 2020, derisa Milan Radoiciq është në kërkim nga Interpoli, për sulmin terrorist në Banjskë ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.