Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar sot se Qeveria i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për tokën e Manastirit të Deçanit. Ai ka bërë të ditur se ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës.
Gazetari i FAZ, Michael Martens, ka publikuar Notën Verbale të dërguar nga Gërvalla, ku tregohet për vendimin e Qeverisë që të urdhërojë Agjencinë Kadastrale për kalimin e 24 hektarëve tek Manastiri dhe gjithashtu konfirmohet se Agjencia e ka implementuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke i regjistruar hektarët në pronësi të Manastirit të Deçanit.
Gërvalla në shkresën e saj ka thënë se institucionet e Kosovës do të vënë në dispozicion të Këshillit të Evropës edhe certifikatën për posedimin e pronës , ku konfirmohet regjistrimi në emër të Manastirit të Deçanit.
Ndërkombëtarët e kanë mirëpritur këtë vendim, teksa Qeveria Kurti është kritikuar nga liderët opozitarë për qëndrimet që i ka pasur në vazhdimësi për këtë çështje.
Fillimisht emisari amerikan, Gabriel Escobar, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, tha se vendimi i sotëm ishte i domosdoshëm.
Kurse ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se vendimi i Qeverisë “demonstron përkushtimin e Kosovës për të respektuar sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit”.
Zbatimi i vendimit për Manastirin e Deçanit është mirëpritur edhe nga ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde.
Ndryshe, Kurti sot tha se Qeverisë nuk i pëlqen vendimi, të cilin e ka cilësuar “të çuditshëm” e “të padrejtë” , por s’ka pasur mjete ligjore e juridike për ta anuluar vendimin e Kushtetueses.
Ai tha se nuk do të ndryshojë qëndrimi i Qeverisë ndaj “këtij vendimi të dëmshëm asnjëherë”, por se, në anën tjetër, nuk ka dyshim se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës “do të ishte jo vetëm fitore historike, por edhe një hap gjigant për republikën tonë drejt njohjes nga pesëshja evropiane, që mundëson anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian për Kosovën e pavarur”.