Krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë theksuar se draft-statuti i Asociacionit duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese.
Një kërkesë të tillë e ka pasur edhe Bashkimi Evropian.
Por, pavarësisht kësaj Qeveria e Kosovës nuk po e bën një gjë të tillë. Ani pse të njëjtit janë pajtuar për dërgimin e dokumentit në Kushtetuese.
Ish-ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati për këtë çështje thotë se Kosova e ka për obligim të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare.
Derisa shton se duhet të ketë një faktor konstruktiv se si të ecet përpara me këtë.
“Por, nga ana tjetër duhet me qenë një faktor konstruktiv dhe me ide të qarta se si të ecet përpara, si të normalizohen raportet me Serbinë, si të shtrihet sovraniteti dhe si të dukemi një shoqëri e cila punon dhe i mirëpret të drejtat e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, është shprehur Ferati.
I pyetur se a pret që zbatimi i themelimit të Asociacionit të fillojë në mandatin e kësaj Qeverie, Ferati ka deklaruar se nuk mund të jep afate, por se presioni i bashkësisë ndërkombëtare do të vazhdojë.
“Nuk do të kisha prognozu afate, ngase nuk janë lehtë të lexueshme por e di që do të vazhdojë presioni i bashkësisë ndërkombëtare në raport me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe kryeministrin në përshpejtimin e këtij procedimi ngase ata e konsiderojnë se me këtë veprim i kontribuon shumë realizimit të të gjitha marrëveshjeve që janë nënshkruar dhe normalizimit të raporteve me Serbinë”, ka thënë ai.