Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Pas Evis Berberit lëshohet urdhër arresti edhe për dy biznesmenë

Drejtuesi i Autoritetit Rrugor Shqiptar Evis Berberi është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme anti-Korropsion. Berberi u arrestua mbrëmjen e së mërkurës pasi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash. Gjithashtu urdhër arresti është lëshuar edhe për një biznesmen, ish-ortak i Berberit, Valter Begaj dhe një tjetër person, Ervis Lami.

Nga SPAK ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar, por paraprakisht mësohet se tenderi që “dogji” Berberin është për mirëmbajtjen e serverëve të ARRSH-së. Dyshohet se në këtë tender ishte i përfshirë një i afërm i Berberit që ka përfituar. Megjithatë në listën e hetimeve janë tendera të tjerë të denoncuar në media dhe jo vetëm.

SPAK nisi javët e fundit hetim ndaj Berberit, për çështjen e shitjes së një kompanie në vitin 2018, dhe dyshohet për transferim fiktiv me qëllim që të shmangte konfliktin e interesit, pasi do të emërohej si këshilltar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ende nuk dihet nëse është arrestuar në zyrë, në shtëpi apo diku tjetër. Mbrëmjen e djeshme në media qarkulloi lajmi se Berberi dha dorëheqjen nga detyra. Më herët ka pasur kontrolle në zyrën e tij por edhe në shtëpi ku është raportuar se i janë sekuestruar qindra mijëra euro dhe sende të tjera me vlerë. Evis Berberit i janë sekuestruar gjithashtu telefoni, laptopi, etj. Evis Berberi u emërua në krye të Autoritetit Rrugor Shqiptar në Qershor të vitit 2021.