Prania e NATO-s në Kosovë mbetet vendimtare për stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Kështu thuhet në raportin vjetor të NATO-s, i cili do të paraqitet gjatë ditës së sotme në Bruksel nga Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg.
Në raport thuhet po ashtu se mandati për rolin e NATO-s në Kosovë buron nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e miratuar në vitin 1999, dhe se që atëherë, KFOR-i ka vazhduar punën e tij për të ndihmuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në bashkëpunim të ngushtë me Bashkimin Evropian, Kombet e Bashkuara dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë.
Raporti thekson po ashtu se Sekretari i Përgjithshëm përforcoi angazhimin e fortë të NATO-s ndaj misionit gjatë vizitës së tij në KFOR në nëntor, si pjesë e një vizite më të madhe në Ballkanin Perëndimor.
Aty përmenden edhe ngjarjet e majit të vitit 2023, kur u lënduan dhjetëra ushtarë të KFOR-it nga protestues serbë në veri të Kosovës.
“Në vitin 2023, Forca e Kosovës luajti një rol kritik në sigurimin e stabilitetit në Kosovë mes tensioneve të rritura dhe rritjes së paqëndrueshmërisë në veri të Kosovës. Pas dhunës në maj dhe shtator, aleatët dislokuan rreth 1000 rezerva në mision, duke ofruar përforcimin më të madh në një dekadë. Kjo i mundësoi KFOR-it të trefishojë numrin e patrullave dhe të katërfishojë praninë e saj në veri të Kosovës. Që nga 31 dhjetori, 27 aleatë dhe partnerë siguruan përafërsisht 4,700 trupa për misionin, duke përfshirë rezervat e vendosura”, thotë raporti vjetor i NATO-s, raporton Klankosova.tv.
Përveç KFOR-it, në raport thuhet se NATO vazhdoi të ofrojë mbështetje për ngritjen e kapaciteteve për organizatat e sigurisë në Kosovë përmes Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, një ekip civil dhe ushtarak prej përafërsisht 40 personel nga 13 vende.
Në vitin 2023, ekipi ofroi këshilla dhe ndihmë në fusha të tilla si mbështetja mjekësore, logjistike, prokurim, ekzekutim të buxhetit dhe menaxhim të burimeve njerëzore.
Po ashtu, NATO thotë se mbetet e përkushtuar për të mbështetur dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Dialogu është platforma kryesore për gjetjen e një zgjidhjeje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme, e cila është në dobi të sigurisë në mbarë Kosovën dhe stabilitetit në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, është thënë në këtë raport.
Ndërkaq, për angazhimin e tij në kuadër të KFOR-it, ka folur edhe Koloneli italian Salvatore Mascoli, Shef për Marrëdhënie me Publikun në Shtabin e KFOR-it në Prishtinë.
“Jam krenar që kam mbështetur praninë e NATO-s në Kosovë në vitin 2023. Pavarësisht nga tensionet e shtuara, Forca e Kosovës (KFOR) vazhdoi të angazhohet me të gjitha komunitetet për të ndihmuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt”, tha Koloneli Mascoli.
Misioni i KFOR-it thuhet se është të kontribuojë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë. Në kryerjen e aktiviteteve të saj, NATO thotë se bashkëpunon dhe ndihmon Kombet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë, sipas rastit, për të mbështetur zhvillimin e një Kosove të qëndrueshme dhe paqësore.
“KFOR-i gjithashtu mbështet zhvillimin e strukturave profesionale, demokratike dhe multietnike të sigurisë në Kosovë”, thotë raporti vjetor i NATO-s.
27 kombe që kontribuojnë me trupa (që nga tetori 2023):
Shqipëria 89
Armenia 57
Austria 271
Bullgaria 142
Kanadaja 5
Kroacia 151
Çekia 36
Danimarka 35
Finlanda 70
Gjermania 70
Greqia 260
Hungaria 433
Irlanda 13
Italia 869
Letonia 136
Lituania 1
Republika e Moldavisë 41
Mali i Zi 2
Maqedonia e Veriut 60
Polonia 245
Rumania 214
Sllovenia 91
Suedia 3
Zvicra 190
Turqia 369
Mbretëria e Bashkuar 41*
Shtetet e Bashkuara 593
Forca totale: 4487
* Në tetor 2023, Mbretëria e Bashkuar njoftoi vendosjen e përkohshme të rreth 200 ushtarëve shtesë në KFOR, pas një kërkese nga SACEUR dhe miratimit nga Këshilli i Atlantikut të Veriut. Këta 200 ushtarë i bashkohen kontingjentit britanik prej 400 trupash tashmë në vend si pjesë e një stërvitjeje vjetore.