Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Mediat gjermane shkruajnë për vendimin e Qeverisë për tokën e Manastirit të Deçanit: 24 hektarë për shtet ligjor

“Duke i dhënë fund grindjes shumëvjeçare për të drejtat e tokës ndaj Manastirit, Prishtina ka siguruar bekimin miqësor ndërkombëtar”, shkruan sot gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” në një artikull ballor kushtuar Kosovës.

“Vendimi krijon parakushtet për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, kurse me anëtarësim, qytetarët fitojnë mundësinë për t’u ankuar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Një avantazh tjetër falë një klauzole në Unionin Evropian të Transmetuesve, Kosova në të ardhmen mund të marrë pjesë në Eurovizion si anëtare e Këshillit të Evropës, pasi Eurovizioni është jashtëzakonisht i popullarizuar në Ballkan” shkruajnë mediet gjermanofone, transmeton Radio Kosova.

“Pajtimi me klerikët serbë, mund t’ia shtrojë Kosovës rrugën e anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, shkruan sot gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”, në artikullin e saj lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës, që në kadastrën e Manastirit të Deçanit, të regjistrohen 24 hektarë tokë, për çka në vitin 2016 kishte vendosur Gjykata Kushtetuese e vendit.

“Duke i dhënë fund grindjes shumëvjeçare për të drejtat e tokës ndaj Manastirit, Prishtina ka siguruar bekimin miqësor ndërkombëtar”, thuhet tutje në artikull. “Vendimi i kryeministrit Kurti, të mërkurën, thjesht tejkalon kufijtë e çështjes së pronës dhe për Kosovën është një hap i madh në synimet e saj për njohje dhe kredibilitet ndërkombëtar si shtet”.

Gazeta sjell reagimet e Drejtorisë së Kadastrës të Deçanit, që kishte kundërshtuar vendimin deri më tani, dhe qëndrimin e kryetarit të Komunës, të cilët vazhdojnë të mendojnë se vendimi i Gjykatës ishte i padrejtë. Ata i kanë thënë gazetës NZZ, se “ky rast mund të shërbejë si precedent edhe për kishat e tjera ortodokse”. Gazeta tutje thekson se “qyteti gjatë luftë ka qenë një fushëbetejë e luftimeve të ashpra dhe banorët janë krenarë për rolin që Deçani kishte në luftë”.

Gazeta NZZ thekson se “ka njëfarë ironie në kthesën që ka bërë Albin Kurti, sepse Kurti në thelb është kundër çdo lëshimi pe ndaj Serbisë, apo bashkësisë ndërkombëtare. Si një lider opozitar, Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, Kurti e kishte cilësuar “tradhti dhe veprim kriminal”. Vendimet e njëanshme, siç është çështja e dinarit serb, kohët e fundit kanë çuar në një ftohje të ndjeshme të marrëdhënieve me aleatët tradicionalë në perëndim. I dërguari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, foli këtë javë për një problem serioz komunikimi me Prishtinën”.

“Anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare është prioritet i politikës së jashtme. Deri më tani, Kosovën e kanë njohur më shumë se gjysma e bashkësisë ndërkombëtare. Në dhjetor të viti 2022 Kosova ka bërë kërkesë për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, shkruan NZZ. “Dora Bakojani, raportuese në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që është edhe motra e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, e bëri të qartë së fundmi se refuzimi për të zbatuar vendimin e Gjykatës për Manastirin e Deçanit, ishte një shkelje e shtetit të së drejtës. Kjo bie ndesh me kërkesën dhe synimet për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Një opinion ligjor nga Këshilli i Evropës kishte dalë më parë në të njëjtin përfundim”, theksohet në artikull.

“Sidoqoftë, nuk janë hequr ende të gjitha pengesat për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, theksohet tutje në artikull teksa shtohet se “raporti i Bakojanit, i cili ende nuk është publikuar, trajton edhe temën e Asociacionin kontrovers të komunitetit serb në Kosovë, i cili synon t’i japë pakicës autonomi të pjesshme. Ka më shumë se një dekadë që Prishtina ishte pajtuar për formimin e një asociacioni të tillë për komunitetin serb, por tani zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin, Kosova po e kushtëzon me njohjen e pavarësisë nga ana e Beogradit”.

“Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, beson se anëtarësimi në Këshillin e Evropës së shpejti është i mundur. Anëtarësimi nënkupton përmirësimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në vend, pasi qytetarët fitojnë mundësinë për t’u ankuar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Një avantazh tjetër falë një klauzole në Unionin Evropian të Transmetuesve, Kosova në të ardhmen mund të marrë pjesë në Eurovizion si anëtare e Këshillit të Evropës, pasi Eurovizioni është jashtëzakonisht i popullarizuar në Ballkan.

Edhe gazeta prestigjioze gjermane “Süddeutsche Zeitung” ka trajtuar vendimin e Qeverisë për tokën e Manastirit të Deçanit.

“24 hektarë për shtet ligjor”, titullohet artikulli i kësaj gazete, e cila thekson se “Kosova ia kthen Manastirit ortodoks serb, pronësinë e tokës së kontestuar vetëm pas presionit ndërkombëtar”, ndërsa shtron pyetjen: “Pse është kaq domethënës ky hap?”

“Në shumësinë e konflikteve në Ballkanin Perëndimor, u zgjidh njëra nga nyjat e shumta” shkruan SZ. “Qeveria e Kosovës vetëm pas një presioni të hapur të SHBA-së dhe prej shumë vendeve anëtare të BE-së, zbatoi të mërkurën aktgjykimin prej tetë vjetësh të Gjykatës Kushtetuese. Autoritetet kosovare këtë vendim nuk e kishin zbatuar me arsyetimin se ai ishte një vendim i marrë para luftës në kohën e regjimit të Millosheviqit. Vendimi për pronësinë ishte bërë nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2016, e cila vetëm sa kishte vërtetuar një aktgjykim të Gjykatës së Lartë të Kosovës, e cila për këtë kishte vendosur katër vite më herët. Partia e kryeministrit të sotëm, Kurti, e kishte akuzuar Gjykatën Kushtetuese, se po përpiqej të zbatonte vendimet e Millosheviqit. Rasti i pronës së Manastirit të Deçanit, ishte kthyer për shumë vite në një pengesë në rritje për synimet e Kosovës për anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Kosova e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, ka shtruar kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Një raport i nëntorit të vitit 2023 i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, thoshte se ndonëse Kosova është një ‘demokraci parlamentare funksionale’, ajo ende ka probleme me sundimin e ligjit, kurse si shembull përmendej rasti i Manastirit të Deçanit”.

“Tani vendimi i Qeverisë tregon për vendosmërinë e saj për të larguar nga rrugë këtë pengesë kryesore. Ndonëse kryeministri, të mërkurën e kishte cilësuar të padrejtë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kishte urdhëruar Zyrën e Kadastrës, që 24 hektarët e diskutuar të tokës përreth t’i regjistrojë si pronë e manastirit”, theksohet në artikull. “Kjo do të shtrojë rrugën e anëtarësimit të vendit në Këshillin e Evropës, vendim ky që pritet të merret në tre muajt e ardhshëm”, citon gazeta, kryeministrin Kurti.

“Vendimi i kryeministrit Kurti u lavdërua nga i emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, duke thënë se ishte “i vështirë, por i domosdoshëm”. SZ citon edhe postimin e ambasadorit të Gjermanisë në Prishtinë, Jörn Rohde, i cili në Platformën X kishte vlerësuar se “vendimi i Kryeministrit të Kosovës është një hap i rëndësishëm i Kosovë në përkushtimin e saj për sundimin e ligjit”.

Edhe gazeta konservative prestigjioze gjermane “Frankfurter Allgemein Zeitung “ (FAZ), ka shkruar për vendimin e Qeverisë së Kosovës:

“Kisha ortodokse serbe merr tokë në Kosovë”, është titulli i artikullit

“Pas një konflikti që ka zgjatur më shumë se një dekadë lidhur me pronësinë e tokës së një manastiri në Kosovë, Qeveri më në fund, vendosi në favor të priftërinjve ortodoksë. Në epiqendër të grindjes kanë qenë 24 hektarë pyll dhe tokë, që rrethojnë Manastirin e Deçanit në perëndim të Kosovës. Pronësia e tokës për manastirin, ishte konfirmuar me disa vendime të gjykatave të larta të drejtësisë kosovare.”

Tutje theksohet se “shpërfillja e vendimit të Gjykatës vetanake Kushtetuese, ishte bërë pengesë, kur ky vend ballkanik, në maj të vitit 2022, shtroi kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Por, të mërkurën, kryeministri Kurti njoftoi Këshillin e Evropës se kishte marrë vendimin në favor të manastirit. Në të njëjtën kohë, Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Strasburg, ia dorëzoi Këshillit të Evropës kopjet e reja të Librit të Kadastrës të Pronësisë”.

“Tani Prishtina shpreson se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, do të votojë për pranimin e Kosovës në KIE. Sapo të ndodhë votimi, Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, do të marrë vendimin përfundimtar për anëtarësimin e Kosovës”.

“Të mërkurën, kryeministri Kurti e bëri të qartë, se pa këtë vendim të Qeverisë në favor të Manastirit, rruga e Kosovës drejt Këshillit të Evropës, do të mbetej e mbyllur”, shkruan FAZ.

Ndonëse vendimin e Gjykatës Kushtetuese edhe më tej e konsideronte të padrejtë dhe të çuditshëm, kryeministri Kurti vlerësoi se anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të ishte një “fitore historike” për Kosovën”, shkruan mes tjerash gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.