Gratë deputete janë takuar sot në Kuvendin e Kosovës për të kujtuar dhe diskutuar përkushtimin politik, patriotik, shkencor, artistik e shoqëror të grave dhe vajzave të Kosovës në proceset e kaluara si komb.
Në një postim në Facebook, deputetja e PDK-së Ariana Musliu-Shoshi ka shprehur shqetësimin e saj për statusin aktual të përfaqësueseve gra në politikë.
“Gratë dhe vajzat shpesh përdoren si simbolikë dhe shfrytëzohen për të paraqitur një imazh të mirë të shoqërisë sonë në kontekste kombëtare dhe ndërkombëtare. Për arritjet dhe sukseset e grave flitet shpesh dhe po aq shpesh debati mbetet simbolik dhe sipërfaqësor.
Në anën tjetër, shumë rrallë flitet se sa tmerrësisht e vështirë është konkurrenca politike, se sa tmerrësisht fort duhet të luftojnë gratë që të afirmohen politikisht për tu etiketuar në fund të ditës si kukulla kuotash. Shumë rrallë thuhet qartë, me zë të lartë dhe pa hamendje se sa rrallë gratë janë pjesë e vendimeve reale politike në parti dhe në Institucione”, ka shkruar ajo në Facebook.
Musliu-Shoshi thotë se gratë që janë politikisht aktive nuk kanë asnjë mbrojtje dhe ato vazhdojnë të mbeten në mëshirën e burrave për të qëndruar sa më gjatë aktive.
“Shumë rrallë thuhet me gjuhë të thjeshtë se edhe vetë gratë, për interesa personale, bëhen pjesë e kësaj hipokrizie të neveritshme duke u veshur bukur dhe duke folur bukur për situatën e grave që ia kanë kushtuar jetën politikës.
Sot, kur shikoj këto gra të mëdha, këto udhërrëfyese për brezin e ri, ndjej zemërim. Ndjej zemërim dhe zhgënjim për pozicionin e tyre pas përfundimit të karrierës së tyre politike.
Këto zonja që janë përfshirë me dekada në politikën e Kosovës, dhe për të cilat me plot bindje mund të them se kanë bërë shumë më shumë se shumë prej burrave, sapo nuk ulen më në parlament, shtyhen në periferi të shoqërisë, mbeten pa siguri financiare dhe pa asnjë integrim të mëtejshëm të respektueshëm, as në parti e as në asnjë institucion. Ato thjesht harrohen dhe lihen në dorë të fatit. Ato hidhen brutalisht tutje sikur mos të kishin qenë kurrë. Këto zonja që ishin të guximshme, që luftuan dhe që nuk u korruptuan.
Dhe secila prej nesh që sot e kemi një ulëse në Kuvend duhet ta shohim vetën tonë në këto gra, sepse janë pasqyra që na e tregon të ardhmen tonë. Prandaj, duhet të themi pa asnjë hezitim se gratë që janë politikisht aktive nuk kanë asnjë mbrojtje. Ato vazhdojnë të mbeten në mëshirën e burrave për të qëndruar sa më gjatë aktive. Ky është realiteti i hidhur i politikëbërjes feministe në brezin tonë”.