Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vandalizimi i tabelave të vendosura në veri, Elshani: Nuk ka elemente të veprës penale

 
   

Pothuajse të gjitha tabelat e vendbanimeve që e kanë edhe gjuhën shqipe që janë vendosur ditën e së enjtes në veri të Kosovës janë ngjyrosur gjatë natës.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, duke folur për këtë rast ka konsideruar se nuk është akt kriminal dëmtimi i këtyre tabelave dhe se nuk mund të cilësohet si vepër penale.

“Nuk është diçka e jashtëzakonshme, konsideroj se derisa t’u mësohet syri, ata do të dëmtojnë tabelat e tilla. Nuk është akt kriminal, nuk është vrasje të dëmtosh një tabelë. Është diçka që është parë për herë të parë, nuk konsiderohet si vepër penale, nuk ka elemente të veprës penale, nëse i shohim dikë duke i dëmtuar, do të hapim rast”, ka thënë Elshani.

Teksa është pyetur se a ka shtim të masave të sigurisë në veri për shkak të zhvillimeve të fundit politike, Elshani ka thënë se vigjilenca është gjithmonë prezente, por nuk ka diçka të jashtëzakonshme.

“Vigjilentë jemi, përderisa grupi kriminal që ka vepruar në Banjskë është larguar për në Serbi, ne jemi vigjilentë që situatat e atilla të mos na vijnë befasi. Nuk ka diçka të jashtëzakonshme, jemi duke bërë punë rutinore”, ka theksuar Elshani.

Ndryshe, të gjitha tabelat e vendbanimeve në gjuhën shqipe që janë vendosur ditën e së enjtes në veri të Kosovës janë ngjyrosur gjatë natës.

Në shumicën prej tyre është ngjyrosur vetëm pjesa ku emri i vendbanimit shkruhej në gjuhën shqipe.

Elshani ka thënë se janë ngjyrosur më shumë se gjysma e tabelave, por sipas tij nuk do të hapet rast, pasi boja mund të fshihet.

Tabelat me emërtimet e vendbanimeve me shumicë serbe në komunat veriore të enjten janë zëvendësuar me tabela, në të cilat emri i vendbanimit shkruhej edhe në gjuhën shqipe.