Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Mesazhi i Escobarit/ Profesori paralajmëron një skenar të dëmshëm për Kosovën

 
   

Gjatë këtyre ditëve, vizita e ndihmës zëvendës sekretarit të Shtetit Amerikan, Gabriel Escobar, në Kosovë ishte e adresuar te vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit dhe përpjekjet e tij për ta bindur kryeministrin Kurti që të bëjë lëshime në këtë vendim.

Sipas një interviste të Escobar për Radion Evropa e Lirë, kryeministri Kurti nuk i ka pranuar kërkesat e ndërmjetësuesit amerikan për Ballkanin, duke u shprehur se “Çështja e dinarit është kompetencë e BQK-së”!

Por sipas profesorit dhe doktorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, me sa duket Escobar nuk e beson këtë që thotë Albin Kurti.

“Ai beson se të kundërtën. Se vendimmarrësi i këtij vendimi është Kurti. Megjithatë të gjithë diplomatët perëndimorë, veç atyre të Greqisë, besojnë te ato që thotë Edi Rama se “Çështja Beleri është problem i drejtësisë dhe jo i qeverisë”! Pavarësisht se Beleri u arrestua 2-3 orë pasi zoti Rama e linçoi Belerin në një ekran televizori, duke i thënë madje “maskara”! Kjo do të thotë se në Perëndim diplomatët besojnë atë që ju intereson dhe jo faktet. Megjithatë secili është i lirë të besojë atë që do dhe i intereson. Por nuk është aspak e drejtë që dikush të transmetojë në Prishtinë pikëpamjet e Beogradit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq”, shprehet Bytyçi.

Siç thotë Bytyçi, Escobar në intervistën në radion e sipërthënë duket shumë i pakënaqur që kryeministri i Kosovës nuk merr përgjegjësi për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit si monedhë përdorimi në Kosovë.

 Image
 Enver Bytyçi 
 

“Sipas tij “Serbët në Kosovë po vuajnë nga ky vendim”! Thotë se “është i shqetësuar për jetën e qytetarëve minoritarë”! Unë nuk e di nëse vërtet ka probleme të tilla. Por nëse do të kishte, qeveria e Kosovës do t’i kishte trajtuar ato. Përfundimisht përfaqësuesi amerikan u largua i pakënaqur nga Kosova. E qortoi atë, për mua padrejtësisht, sepse vetë amerikanët kanë imponuar përdorimin e euros në Kosovë. Tani thonë, jo vazhdoni e përdorni edhe dinarin serb. Na thonë hiqni dorë nga kushtetuta dhe ligjet e vendit, ndërkohë që kritikuan ashpër, shumë ashpër si mungesë e demokracisë dhe shtetit të së drejtës moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit”, shpjegon profesor Bytyçi.

Më tej, Bytyçi thotë se bashkësia ndërkombëtare po punon më dy standarde.

“Dhe në të dyja rastet, kur kërkohen standarde të kundërta, në lojë janë interesat e Serbisë, nuk janë interesat e Kosovës. Kurti ua hoqi nga dora argumentin kritik sa i përket pronës së Manastirit të Deçanit. Dhe e bëri këtë për t’i hapur rrugë pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Por zoti Escobar së paku në intervistën për Evropën e Lirë thotë se janë edhe dy kushte tjera që Kosova të bëhet anëtare e KE, përkatësisht Asociacioni dhe mos shtetëzimi i pronave për interes shtetëror në veri të Kosovës. Edhe këtu ka një kontradiktë të çuditshme. Ndërsa kërkuan të zbatohet një vendim i kasapit Milosheviq për pronat e Manastirit të Deçanit, tani dalin kundër përdorimit të pronave dhe territorit në veri të Kosovës për interesa shtetërore, si psh për ndërtimin e stacioneve të policisë ose për arsye tjera, deri ndërtimi i reparteve ushtarake në atë pjesë të territorit”, thekson Bytyçi.

“Kjo kërkesë është në kundërshtim jo vetëm me kushtetutën e Kosovës, por edhe me Rezolutën 1244, e cila kishte vendosur largimin e ushtrisë e policisë serbe nga territori i Kosovës, jo largimin e policisë e të ushtrisë së Kosovës! Por ajo që më shqetësoi lidhet me faktin se zoti Escobar paska kërkuar që Kosovës t’i vihet si kushte për pranim në Këshillin e Evropës edhe kushtin e krijimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë”, shprehet Bytyçi, i cili paralajmëron edhe një skenar të dëmshëm për Kosovën.

“Për ta zbutur gjuhën thoshte se “ky asociacion nuk është i rrezikshëm për Kosovën, sepse vetëm se kërkon përdorimin e gjuhës serbe në shërbimet publike”! Asgjë më shumë, thoshte zoti Gabriel Escobar. Edhe këtu ka një ngërç. Gjuha serbe është e lejuar jo vetëm në shërbime, por në gjithçka e kudo në Kosovë, edhe në komuna ku nuk jeton asnjë serb. Këtë e thotë kushtetuta. Një gjë që është e sanksionuar në kushtetutë nuk ka nevojë të krijohen asociacione. Detyrimet kushtetuese i kanë obligim për zbatim të gjitha institucionet qendrore dhe lokale. Pse u dashkua të krijohet një mekanizëm i mbivendosur atëherë?! Unë mendoj se relativizmi i këtij asociacioni është paradhoima e një skenari shumë të dëmshëm për Kosovën. Deri te mundësia juridike për të cenuar sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial të vendit. Është më e ndershme të thoshte zoti Escobar se ne na intereson Serbia në këto momente dhe jo Kosova. Në fund të fundit është e drejta e çdokujt, edhe e shteteve të deklarohen hapur për ndryshimet që pësojnë në strategjitë për mbrojtjen e interesave të tyre. Por nuk duhet të përpiqet t’i marrë për budallenj liderët shqiptarë. Ata të korruptuarit ishin peng i planeve të Serbisë, këta që nuk janë peng po duket se i marrin për budallenj. Kjo është shumë e rrezikshme dhe e papranueshme”, deklaron Enver Bytyçi.

“Përfundimisht unë ia lejoj vetes të them se ndihmës-sekretari amerikan, Gabriel Escobar, erdhi në Kosovë si emisar i Aleksandër Vuçiq dhe jo si mbrojtës i interesave të Kosovës, i ligjeve dhe kushtetutës së saj. Së paku duhej ta kursente kushtëzimin e pranimit në KE me asociacionin. Dikush mund të më thotë se SHBA-të nuk janë anëtare të KE-së. Por deklaratat e tij ishin nxitje për aleatët amerikanë në këtë Këshill që të venë kushtëzime të reja. Së paku nuk duhej të thoshte se “mbron interesat e Kosovës”! Duhej ta kursente këtë fjalë, sepse është mashtrim i madh ky!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.