Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Escobar tregon çfarë do t’iu thotë ambasadorëve të QUINT për Kosovën kur të kthehet në Washington

 
   

Emisari amerikan, Gabriel Escobar, para se të niste vizitën e tij në Kosovë, në një konferencë për media me gazetarë, kishte paralajmëruar se pasi të përfundonte udhëtimin e tij në Kosovë, Austri dhe Mal të Zi, do të takohej me ambasadorë të QUINT-it në Washington.

Në intervistën e tij të fundit të dhënë për Radio Evropa e Lirë, Escobar është pyetur se çfarë do t’iu thotë ambasadorëve kur t’i takojë, në mënyrë specifike për Kosovën.

Diplomati amerikan ka thënë se ata do të dëgjojnë atë që presin të dëgjojnë, që s’ka pasur shumë përparim as sa i përket Asociacionit e as sa i përket rregullores së BQK-së.

Ai ka shprehur shpresën e tij që të martën në Bruksel të ketë diçka pozitive për të diskutuar dhe thotë se biseda me ambasadorët e QUINT në Uashington do të jetë e përzier, meqë Qeveria Kurti ka implementuar vendimin për Manastirin, gjë që ndërkombëtarët e kanë kërkuar prej vitesh.

 “Sinqerisht, ata do të dëgjojnë atë që presin të dëgjojnë, që nuk kemi arritur shumë përparim, as për Asociacion, as kur është fjala për rregulloren e BQK-së. Shpresoj që të martën do të kemi diçka pozitive për të diskutuar. Tashmë kemi diçka pozitive për të diskutuar, është vendimi për [Manastirin e] Deçanit, diçka që komuniteti ndërkombëtar e ka kërkuar për shumë e shumë vjet. Pra, do të jetë një diskutim i përzier”, ka thënë Escobar për REL.

Gabriel Escobar në konferencën e tij për media të mbajtur më 12 mars, kishte paralajmëruar takimin me shtetet e QUINT në Washington gjatë javës që po vjen.

“Do të udhëtojmë në Prishtinë dhe do  të fokusohemi tek efektet dhe një zgjidhje e mundshme e vendimit të pakoordinuar për të ndaluar dinarin dhe trasnferet nga Serbia për qytetarët serbë që marrin pagesa sociale nga Serbia.Pas Prishtinës do të udhëtojmë në Vjenë për takime me OSBE-në. Pastaj në Mal të Zi. Pas kësaj do të kthehem në Uashington, dhe shpresoj të kemi në Uashington javën tjetër, një diskutim in-person të QUINT-it për këto çështje”, ka thënë Escobar.