Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Për dy vjet sistemi i hetuesisë mbetet pa kryeprokuror – Njohësit i bëjnë fajtorë KPK-në e Presidencën

 
   

Për më shumë se dy vjet, sistemi i hetuesisë ka mbetur pa kryeprokuror, për shkak të propozimit të Blerim Isufajt nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Në anën tjetër, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk ka vendosur për dekretimin ose jo të Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit.

E këto vonesa po konsiderohen si të dëmshme nga njohës të proceseve, teksa fajtor i bëjnë institucionet përgjegjëse.  

Mosemërimin e Kryeprokurorit të Shtetit, avokati Ardian Bajraktari, e konsideron të papranueshëm dhe mesazh të keq për vendin.

“Pozita e Kryeprokurorit të Shtetit është njëra prej pozitave të rëndësishme jo vetëm brenda për brenda sistemit të drejtësisë por edhe në nivel të institucioneve, andaj fakti që pas më shumëse dy vitesh kemi ushtrues detyre është i papranueshëm dhe në këtë drejtim është një sinjal dhe mesazh tepër i keq për institucionet”, tha Bajraktari.

Marrë parasysh afatin kohor në kohëzgjatje prej dy vitesh Bajraktari konsideron se përgjegjës për këtë janë dy institucione Këshilli Prokurorial dhe Institucioni i Presidencës.

“Kjo për faktin se Këshilli Prokurorial në dy drejtime është përgjegjës sepse ka dështuar ta administrojë mirë procesin dhe ta bind publikun se procesi është zhvilluar brenda parametrave dhe standardeve normale për të garantuar një proces korrekt dhe transparent si dhe institucioni i Presidencës i cili e ka mbajt për kohë të tërë në sirtarë të saj qoftë dekretimin ose mos dekretimin e kandidatit të propozuar nga ana e Këshillit Prokurorial”, tha tutje Bajraktari.

Bajraktari vlerëson se procesi është dashur të kthehet në pikën zero, në momentin e kundërshtimit nga ana e Presidencës. 

“E kam thënë edhe ditën kur kemi pas njoftimin nga zyra e presidentes për mos dekretim, Këshilli Prokurorial i Kosovës sa më parë duhet ta shpallë konkursin të sigurohet që procesi të zhvillohet si proces transparent në monitorim të mekanizmave qoftë të organizatave të shoqërisë civile po ashtu edhe partnerëve ndërkombëtarë të cilët vetëm e kanë shprehur gatishmërinë për ta bërë një gjë të tillë dhe të sigurohet se kushdo që zgjedhet, cilido kandidat të zgjedhet mbi baza meritore që pastaj të mos kemi situata të tillë që kanë ndodhur në të kaluarën”, tha Bajraktari për EO.

Ndërsa avokatja, Albulena Ukimeri tha se vonesa në emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit, ndikon në uljen e kapacitetit brenda këtij institucioni.

“Duke qenë se pozita e Kryeprokurorit të Shtetit është një prej figurave kyçe në kuadër të sistemit të drejtësisë në përgjithësi e atë prokurorial në veçanti meqenëse Kosova tash e dy vite ka ushtrues të detyrës se Prokurorit të Shtetit këtë çështje e konsideroj si diçka të dëmshme jo vetëm për çështjen e kryeprokurorit të shtetit por edhe për pozitat të cilat vazhdojnë të jenë pozita të larta dhe kyçe e që akoma janë më ushtrues detyre. Kjo pashmangshëm ndikon në uljen e kapacitetit brenda për brenda atij institucioni dhe uljen e progresit në përgjithësi dhe mos procedimit të procedurave në kuadër të një institucioni”, tha Ukimeri.

Fajtor për këtë, Ukimeri i bën institucionet përgjegjëse. Konsideron se dozë të fajit më shumë ka institucioni që ka zhvilluar procedurat e rekrutimit për këtë pozitë. 

“Sa i përket përgjegjësisë lidhur me këtë çështje konsideroj se kemi një ndërlidhje të institucioneve në aspektin e përgjegjësisë. E para të institucionit i cili ka zhvilluar të gjitha procedurat e rekrutimit për këtë pozitë të lartë e po ashtu edhe çështjen tjetër e cila është te institucioni i presidencës, përfundimisht sa i përket këtij procesi kujtoj që është pritur gjatë dhe është një proces i vonuar derisa në prill të vitit 2022 Këshilli Prokurorial i Kosovës i ka dërguar presidencës emrin e kandidatit të propozuar nga ana e tyre për tu dekretuar e njëjta ka njoftuar në atë kohë opinionin publik se nuk do të ngutet në dekretimin e kryeprokurorit të shtetit por do të sheh mundësinë që do të shtjerën të gjitha apelimet dhe të gjitha mjetet e tjera ligjor dhe më pastaj do të shoh që të bëjë dekretimin e Prokurorit të Shtetit”, u shpreh ajo.

Duke e konsideruar të dëmshëm faktin që për më shumë se dy vite Kosova vazhdon të ketë vetëm ushtrues detyre në këtë pozitë, avokatja Ukimeri tha se ky proces duhet të mbështetet në meritokraci dhe transparencë. 

“Mendoj se institucionet përgjegjëse për këtë proces duhet që të lëvizin me shpejtësi të jenë më serioze në këtë aspekt dhe të vazhdojnë me procedurat e paracaktuara në këtë drejtim do të shtoja edhe thirrjet dhe zërat të cilët kanë ardhur edhe nga ana e ShBA-ve dhe të BE-së, vendeve perëndimore por edhe të shoqërisë civile që edhe ky proces duhet të mbështetet në meritokraci, në transparencë të jetë i drejtë të jetë ligjor dhe gjithë këtë proces e shoh si një nismë të re për dizajnimin e një procesi të ri për zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit por gjithnjë duke shtuar se Këshilli Prokurorial i Kosovës është institucion i pavarur dhe nuk ka ndonjë mekanizëm apo instrument ligjor apo kushtetues që të them do ta detyronte kushtimisht Këshillin Prokurorial të Kosovës që të përshpejtojë procedurat dhe të rinis për zgjedhjen e Prokurorit të Shtetit”, tha ajo.