Brukseli është mbushur me thashetheme derisa përgatitet për zgjedhjen e disa pozitave të larta, si në institucionet e Bashkimit Evropian, ashtu edhe në NATO.
Janë katër pozita që duhet të mbushen këtë vit – ajo e presidentit të Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian, që aktualisht mbahen nga Ursula von der Leyen dhe Charles Michel, si dhe ajo e shefit të politikës së jashtme të BE-së, të cilën, tash e pesë vjet, e mban Josep Borrell.
Në një pjesë tjetër të kryeqytetit belg, NATO-ja, po ashtu, kërkon zëvendësim për Jens Stoltenbergun në pozitën e sekretarit të përgjithshëm. Norvegjezi do të largohet nga ky post pas një dekade.
Tri pozitat e BE-së janë të lidhura me njëra-tjetrën, pasi ato vendosen nga 27 krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së, gjatë negociatave që zhvillojnë me dyer të mbyllura.
Për këtë qëllim tashmë janë planifikuar dy samite të BE-së: më 17 dhe 27 qershor.
Procesi është i ndërlikuar, pasi duhet të zgjidhen tre persona që reflektojnë balancë në gjini, përkatësi politike dhe gjeografi, edhe pse perimetri i shteteve anëtare të BE-së është i turbullt herë pas here.
Është e zakonshme që presidenti i Komisionit Evropian të vijë nga ai grupim politik që fiton më shumë vota në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, që do të zhvillohen në të gjithë bllokun nga data 6 deri më 9 qershor.
Në katër zgjedhjet e fundit, më e madhja ka qenë Partia Popullore Evropiane (EPP) e qendrës së djathtë. Sipas sondazheve, ajo pritet të dalë e para edhe këtë herë.
Kandidatja kryesore, e zgjedhur në kongresin e EPP-së në Bukuresht javën e kaluar, është Von der Leyen. Logjika tregon se ajo mund t’i sigurojë edhe pesë vjet të tjerë në krye të Komisionit Evropian.
Në anën tjetër, presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, njoftoi këtë javë se do të garojë për shef të NATO-s, dhe kjo mund ta komplikojë peizazhin edhe më shumë.
Pozita e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s është zyrtarisht e ndarë nga pozitat në BE.
Por, duke marrë parasysh se 23 nga 27 shtetet anëtare të BE-së i përkasin gjithashtu aleancës ushtarake dhe se sekretari i përgjithshëm i NATO-s duhet të jetë evropian, të dyja organizatat janë duke kërkuar “talente” në të njëjtën pishinë politike.
Burimet në NATO thonë se do të kishin dashur t’i përfundonin kërkimet për personin e tyre në prill – shumë kohë përpara Samitit të NATO-s, që do të mbahet në Uashington, në muajin korrik.
Gjithçka dukej e sigurt disa javë më parë, kur anëtarët kryesorë të aleancës, si: Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe rreth 17 vende të tjera – kryesisht në Perëndim – u rreshtuan pas kryeministrit holandez në largim, Mark Rutte.
I konsideruar si person me përvojë, i pëlqyer në Uashington dhe adekuat për t’u marrë me Donald Trumpin, ai dukej se ishte një zgjedhje e mirë. Por, shkaktoi zemërim te lindorët.
“Lindorët” këtu nuk nënkuptojnë konceptin gjeografik apo politik. Por, mbulojnë vendet e ish-bllokut sovjetik ose ish-Jugosllavisë, që iu bashkuan BE-së (dhe NATO-s) në 25 vjetët e fundit – Bullgaria, Kroacia, Çekia, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia, si dhe Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Asnjë sekretar i përgjithshëm i NATO-s nuk ishte ndonjëherë nga ndonjëri prej këtyre vendeve. Dhe, në vitin 2019, kur BE-ja zgjodhi për herë të fundit tri kokat e saj, krahu lindor u anashkalua plotësisht.
Në fakt, i vetmi “lindor” që ka mbajtur një pozicion të lartë në Bruksel, ishte kryeministri aktual i Polonisë, Donald Tusk, i cili ishte president i Këshillit Evropian nga viti 2014 deri më 2019. Pra, një nga katër pozitat e lira në vitin 2024, duhet të shkojë vërtet në lindje.
Kjo është arsyeja përse Iohannis e hodhi kapelën e tij në ring.
Kanë qenë tashmë tre sekretarë të përgjithshëm të NATO-s nga Holanda./REL