Hulumtuesi në Institutin “Octapus”, Gurakuç Kuçi ka deklaruar se Aleksandër Vuçiq me deklaratat dhe politikat e tij po shfaq gatishmëri për destabilizmin e situatës në veri, pasi edhe vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dëshiron ta kthejë në problem të sigurisë, në mënyrë që ta shfrytëzojë për ta shantazhuar perëndimin.
Kuçi theksoi se Vuçiqi vë në pozita të rëndësishme njerëz që qojnë përpara politikat e tij “serbomadhe”, kundër Kosovës, ku i njëjti rast është me drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës Ushtarake në Serbi, i cili lobon për kthimin e flamurit serb në Kosovë.
Sipas Kuçi, Zoran Stojanoviqi është pjesë e politikës së Vuçiqit dhe angazhohen me të gjitha forcat e inteligjencës dhe ushtarake kundër Kosovës.
Kuçi: Vuçiqi u jep pozita njerëzve të tij që ta dërgojë përpara politikën e tij serbomadhe
“Aleksandër Vuçiqi sikur në çdo pozitë tjetër edhe në pozitën e intelegjencës është kujdesur që të vë njerëz që ta dërgojnë politikën e tij përpara, politikën serbomadhe. Në këtë rast, edhe tek inteligjenca ushtarake, Zoran Stojanoviqi është pjesë e politikës së tij ku angazhohen me të gjitha forcat e inteligjencës dhe ushtarake kundër Kosovës dhe kanë në gatishmëri të lartë të veprimit në çdo moment. Kjo çka e ka thënë tani Stojanoviq është vetëm një deklaratë e një pune të viteve të gjata që i bëjnë ata kundër Kosovës. Stojanoviçi realisht ka edhe një historik të tij kundrejt Kosovës dhe të bashkëpunimit të tij ku ka qenë një urë lidhëse e fortë ndërmjet Serbisë dhe Rusisë. Vetëm gjatë mandatit kur është pozita të ndryshme Vuçiqi, ai është angazhuar si atashe ushtarak dhe tani drejtor i inteligjencës që të krijojë bashkëpunime me forcat ushtarake ruse atje, në mënyrë që të mbajë lidhjet dhe të dërgojë përpara edhe interesat e Rusisë dhe Serbisë në Ballkanin Perëndimor”, thotë Kuçi.
E derisa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që më 21 prill të mbahen votimet për largimin nga detyra të kryetarëve shqiptarë në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, Vuçiq e quajti këtë një gënjeshtër, gjë që sipas Kuçi, është lojë politike e Vuçiqit, të cilën dëshiron që ta kthejë në një problem të sigurisë.
Kuçi: Vuçiqi po vazhdon me zbatimin e politikave të Putinit
“Kjo është një lojë politike dhe lojë e sigurisë që e bënë Vuçiq kundër Kosovës, sepse dihet që edhe vendimi i KQZ-së nuk hyn në kuadër të sigurisë. Por, Vuçiqi dëshiron që ta kthejë në një problem të sigurisë. Në këtë mënyrë, ai e shfrytëzon edhe për ta shantazhuar perëndimin dhe jo vetëm Kosovën, duke shfaqur gatishmërinë e tij për destabilitet të Kosovës në veri dhe në tërë Kosovën dhe rajonit më gjerë. Vuçiq po ashtu me një deklaratë të tillë dëshiron që ta shfrytëzoj edhe për konsum të brendshëm politik atje, ku dëshiron t’i tregojë popullit serbë se ai është duke u angazhuar për një Serbi të madhe, duke dërguar përpara planin e botës serbe. Është duke punuar vazhdimisht për Serbinë e të cilën vetëm ai dinë se si ta dërgojë përpara. Vuçiqi është ai i cili vazhdon politikat destabilizuese dhe zbatimin e politikave të Putinit në të njëjtën formë vazhdon me një lloj politike shantazhuese ndaj perëndimit, që fatkeqësisht deri më tani ka pasur një lloj suksesi për shkak të politikës që ndjek perëndimi”, thekson Kuçi.
Ai ka folur edhe për grupe të mbështetura nga Serbia kanë vazhduar me kërcënime për sigurinë e Republikës së Kosovës, siç është një grup nacionalistësh serbë i ashtuquajtur “Arinjtë e Permit”, në një kërcënim të hapur duke i quajtur fashiste trupat e NATO-s, ka shfaqur synimet hegjemoniste.
Disa prej tyre kanë bërë një video në të cilën shihen të maskuar e të armatosur, derisa nuk ndalin kërcënimet e tyre. Kuçi thekson se këta të fundit shpërfaqin ultranacionalizmin dhe gatishmërinë e tyre që ta shpërndajnë luftën jo vetëm në Ukrainë por edhe në rajon.
Hulumtuesi në Institutin “Octapus”, thotë se “Arinjtë e Permit”, është pjesë e grupeve të cilat janë shfaqur më herët dhe se të njëjtat janë parë edhe në Kosovë, e që sipas tij, edhe gjatë vitit të kaluar kanë pasur për qëllim destabilizimin e veriut të vendit.
Kuçi: Grupi terrorist “Arinjtë e Permit” shpërfaq ultranacionalizmin dhe gatishmërinë e tyre të shpërndajnë luftë
“Shfaqja e fundit e këtij grupi terrorist paramilitarë që është i angazhuar krah Rusisë kundër Ukrainës, është pjesë e atyre grupeve që vazhdimisht kanë shkuar nga Serbia drejt Rusisë për luftë kundër Ukrainës. Dhe së fundi ka kulmuar kur rekrutimi i këtyre njerëzve nga viti 2022 bëhet nëpërmjet zyrës së grupit Ëagner, e cila zyre tashmë gjendet në Serbi dhe është hapur vitin e kaluar. Pra , kanë një lloj shfaqjesh zyrtare të rekrutimit dhe nuk është diçka e fshehur kjo punë. Për pasojë ai grup është burimor e kësaj rrjedhe të rekrutimit të tyre. Si e tillë shpërfaqin ultranacionalizmin e tyre dhe gatishmërinë e tyre që ta shpërndajnë luftën jo vetëm në Ukrainë por edhe në rajon e tjera. Duke i shpërfaqë gjithnjë interesat e Putinit i cili ka një gatishmëri të lartë që të bëjë edhe zona të tjera të luftës, në këtë mënyrë që të shpërqendrojë fuqinë e kundërshtarëve të vet dhe të fitojë terren. Andaj, ‘Arinjtë e Permit’ që është shfaqur me emrin e tanishëm, vetëm pjesë e grupeve të cilat janë shfaqur më herët. Të njëjtat grupe janë shfaqur edhe në Kosovë, kur kanë dashur që ta destabilizojnë veriun e vendit, vitin e kaluar”, potencon Kuçi.
Përndryshe, të enjten në veri janë vendosur shenjat zyrtare të vendbanimeve në gjuhën shqipe dhe serbe por të njëjtat gjatë ditës së djeshme janë dëmtuar.