Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të premten mori pjesë në shënimin e Ditës Kombëtare të Irlandës të organizuar nga Ambasada e Irlandës në Kosovë.
Në këtë festë të dyfishtë, duke e cilësuar si një nder të madh që ndodhet aty për të festuar, kryeministri Kurti u shpreh se Kosova dhe Irlanda kanë pasur gjithmonë marrëdhënie miqësore që nga shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Ai nënvizoi faktin që Irlanda ishte ndër vendet e para që njohu shtetin dhe shtetësinë e Kosovës qysh dymbëdhjetë ditë pas shpalljes së pavarësisë.
“Kryeministri Kurti e cilësoi fuqizimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Irlandës si një nga bekimet e vitit 2024. Në më pak se dy muaj u realizuan dy vizita shtetërore bilaterale. Fillimisht vizita e Kryeministrit të Irlandës, Leo Varadkar në Prishtinë më 10 janar, dhe vizita e Kryeministrit Kurti në Dublin më 29 shkurt dhe 1 mars. Në këto takime, kryeministri veçoi se janë pajtuar që ta intensifikojnë bashkëpunimin në një numër fushash, sidomos në sektorin e teknologjisë, për të mirën e qytetarëve të të dy vendeve”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Tutje Kurti ka thënë se kërcënimet nga terrorizmi dhe agresioni në rajon janë në rritje, derisa ka folur për rëndësinë e integrimit të Kosovës në institucionet euroatlantike në një kohë të tillë.
“Në një kohë kur kërcënimet e terrorizmit dhe agresioni në rajon janë në rritje, integrimi i Kosovës në institucionet Euro-Atlantike është më i rëndësishëm se asnjëherë më parë për paqen, sigurinë dhe të drejtat e njeriut në Ballkanin Perëndimor. Në këtë drejtim, kryeministri iu shpreh veçanërisht mirënjohës kryeministrit irlandez, Varadkar për mbështetjen e tij të zëshmen për aplikimin tonë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian”, thuhet tutje në njoftimin e ZKM-së.