Në organizim të Shoqatës së të burgosurve politikë dhe Shoqërisë Lëvizja sot u bë zbulimi i pllakës përkujtimore për arsimtarin, atdhetarin, veprimtarin, një nga drejtuesit e LPK-së, luftëtarin dhe ish-komandantin e përgjithshëm të UÇK-së Azem Syla në Kishnarekë të Drenasit.
Kryetari i Komunës të Drenasit Ramiz Lladrovci, ka folur për jetën dhe veprën atdhetare të Azem Sylës, duke përkujtuar se gjatë kësaj veprimtarie dy herë ra në burgjet e ish-regjimit.
Lladrovci: Daja ka kryer me ndershmëri aktivitete dhe funksione të ndryshme
“Të dashur të burgosur politikë, aktivistë, shokë nga Lëvizja me ftesën për këtë aktivitet për Azem Sylën ka disa epitete arsimtari, atdhetari, luftëtari dhe komandanti i UÇK-së, të gjitha këto epitete në vete përmbajnë besë dhe dinjitet dhe moral të lartë atdhetar, disipline dhe pres në situatat që meritojnë përgjithësi të mëdha. Daja ka kryer me ndershmëri aktivitete dhe funksione të ndryshme, si anëtar i organizatave në vitet ’80-ta bien në burgje të serbëve dy herë, ishte anëtar i kryesisë dhe grupeve të veçanta si i ngarkuar për organizimin e luftës dhe komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së”, tha ai.
Deputeti i PDK-së Xhavit Haliti në këtë tubim foli mbi rolin e lëvizjeve për çlirimin e Kosovës, duke thënë se krijimi i UÇK-së ishte kulmi i të gjitha të arriturave pjesë e së cilës ishte edhe Azem Syla.
Haliti: Krijimi i UÇK-së ishte kulmi i të arriturave
“Unë nuk e di cili nga ju që jeni sot në këtë tubim që nuk e keni nga një histori, nga një pjesë të historisë që nuk e bartni në vete duke filluar nga lëvizjet e mëhershme dhe deri në krijimin e UÇK-së që ishte kulmi i të arriturave dhe në të gjitha organizimet që kemi pasur përpara duke filluar nga lëvizja revolucionare për bashkimin e trojeve shqiptare dhe deri më sot…Por, sot jemi mbledhur për dajën, Azemin… Tani unë Azem Sylën s’e kisha njohur, por në një gjykim kur u dënua Gani Veseli në Pejë e dëgjova emrin e Azemit dhe e dëgjova akuzën që ia bënin Ganiut. Pas një kohe në vitin 1989 në Kosovë për ta ndihmuar organizimin erdhën Ali Ahmeti Hajdin Abazi. Dhe kur erdhi Aliu më tregoi, kur u kthye mbrapshtë, që kishte punuar me dajën që ishte daja njëri ata që merreshin me organizimin e lëvizjes dhe me organizimin e demonstratave në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë. Është një kohë, daja mbetet në Zvicër, por në vitin 1991 Kryesia e Lëvizjes Popullore e Kosovës, dega jashtë vendit, bashkë me anëtarët e kryesisë brenda vendit mbajtën një mbledhje në Tiranë dhe atëbotë takuam edhe presidentin e Shqipërisë duke mos harruar të gjithë protagonistë të tjerë”, ka thënë Haliti.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti kishte ardhur nga Maqedonia e Veriut për ta uruar shokun e tij të luftës Azem Sylën, për punën dhe kontributin që ai kishte dhënë gjatë përpjekjeve të popullit të Kosovës për lirinë që ne gëzojmë sot.
Ahmeti: Shpalosëm pllakën përkujtimore në një familje që dha shumë për çështje kombëtare
“Të gjithë këtu sa jeni unë njohë edhe ju më njihni pa hyrë veç e veç në përshëndetje, por dua vetëm gëzimin për këtë takim që jemi bashkë këtu si misionar të kohërave të vështira me dhimbje me sakrifica të mëdha, por ja që përsëri një pjesë jemi bashkë këtu në një moment të rëndësishëm që e organizon shoqëria Lëvizja për të na bërë bashkë në shpalosjen e një pllake përkujtimore në një familje që ka dhënë mjaft për çështjen kombëtare. Me Azemin njihemi nga 1979, në mëngjes herët vinte me organin Lirinë nën sqetull dhe na i linte në banesë neve studentëve, tani ne vazhdonim shpërndarjen e gazetës në bibliotekat e universitetit. Me Azemin nga ‘79 vetëm burgjet e kanë ndarë nga ne. Me të dalë nga burgu tamam i ngjante Rexhep Malës, edhe ai në burgje nga burgu në organizim përsëri në krye të detyrave deri në rënien heroike… Fahri Fazliu, Fadil Vata sot janë përpilues e hartues të ndryshimit të kësaj strategjie dhe të fillimit të një strategjie më aktive, por edhe me përgjegjësi shumë më të mëdha”, tha Ahmeti.
Kryetari i të Burgosurve Politikë, Shefik Sadiku, falënderoi Azem Sylën për kontributin e madh të dhënë në çështjen kombëtare.
Sadiku: Azem Syla arriti t’i mbijetojë dhunës
“Jemi tubuar për ta nderuar veprimtarinë atdhetare të ish-të burgosurit politik dhe komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Azem Syla. Jemi në prag të shënimit të 43-vjetorit të demokrateve të prillit 1981, e cila u shndërrua në kryengritje gjithëpopullore të kësaj, jo vetëm në fushën socio-ekonomike-politike, por edhe e sforcoi kërkesën më sublime Kosova Republikë për çlirimin e kombit shqiptar dhe atdheut nga robëruesit serbë, të cilët fshiheshin prapa shtetit më kriminal në Evropë. Pjesa e këtyre organizimeve ishte në grupin revolucionar ku merrte pjesë edhe Azem Syla, të cilin e kishin burgosur që në vitin 1980. Ata edukoheshin edhe arsimoheshin në frymën e lirisë, kështu ndodhi edhe me shumë djem e vajza edhe nga Drenica, e cila ishte epiqendra e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si Adem Jashari, dhe familja Jashari. Shoqata e të Burgosurve Politikë kanë organizuar shënimin e këtij përvjetori duke vendosur në pllakë në shenjë falënderimi për ish-të burgosurit politik dhe komandantit të UÇK-së Azem Syla, i cili arriti t’i mbijetojë dhunës”, ka thënë Sadiku.
Ndërsa Azem Syla mes lotësh dhe emocioneve falënderoi të gjithë për mbështetjen e dhënë, duke thënë se sikur të kishte edhe një mijë jetë të tjera, ai prapë do t’ia kushtonte ato lirisë.
Syla :Edhe 1 mijë jetë t’i kem, nuk do t’i kurseja për bashkimin e popullit
“Përshëndetje nga zemra shokëve, Xhavit Halitit dhe të tjerëve. U tha mjaft, kam qenë gjithmonë që kam folur për veten time, çka kam pasur mundësi, dije dhe forcë e kam shfrytëzuar për këtë ditë që të jemi të lirë për Kosovën e lirë. E pata fatin që një jetë të tërë në shërbim dhe ju garantoj që edhe 1 mijë jetë m’i pasur për bashkimin e popullit nuk do t’i kurseja. Mbeta burgjeve pa thënë pak fjalë për familjen time, gjithmonë ilegal kur të jesh nëse nuk e ke familjen që të mbështetë nuk mund të ecësh përpara. Jam mirënjohës shumë familjes, babait, axhës, por edhe shoqes”, ka thënë Syla.