Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Tahiri: Serbia përmes Grenellit e Kushnerit ia ‘mësyjnë’ Sazanit për t’i siguruar qasje Rusisë në Mesdhe

 
   

Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri ka shprehur shqetësimet për transversalen hegjemoniste të Rusisë dhe Serbisë që synon të sigurojë dalje në Mesdhe përmes investimeve turistike në Sazan, ishull ky si pikë qendrore gjeopolitike dhe gjeostrategjike në Shqipëri.

Ajo ka thënë se Serbia ka gjetur rrugë përmes investitorit amerikan Jared Kushner dhe kumbarës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Richard Grenell që t’i qaset ishullit Sazan përmes projektit turistik që këto ditë u bë i njohur në Shqipëri.

Tahiri përkujton se Rusia kishte nisur investime turistike në bregdetin e Malit të Zi që të realizojë transversalen hegjemoniste e gjeostrategjike me qëllim qasjen në Mesdhe, menjëherë pas luftërave në Ballkan dhe pas pavarësimit të Malit të Zi, por e cila kishte dështuar falë intervenimit të SHBA-së dhe hyrjes së Malit të Zi në NATO.

Duke qenë se Shqipëria u bë anëtare e NATO-s në 2008 ishin dekurajuar aspiratat hegjemoniste e gjeopolitike ruso-serbe për qasjen në Mesdhe, Tahiri thotë se në vitet 2017 Rusia kishte bërë përpjekje të bëjë investime turistike në Sazan, “të cilat u ndërprenë falë intervenimit amerikan dhe falë lobizimeve të disa prej neve që kishim ndikim në qeverinë amerikane”.

Sipas Tahirit, ngritja e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë ka nxitur Rusinë dhe Serbinë të gjejnë qasje tjetër, duke krijuar një transversale të re që në dukje turistike, por në esencë gjeopolitike, pasi Rusia asnjëherë nuk është pajtuar për humbjen e ndikimit në Ballkan pas Luftës së Ftohtë, sepse Ballkani është qendra e doktrinës gjeopolitike perëndimore (Heart-landi).

“Tash Serbia, përmes Grenellit e Jared Kushnerit ia paska mësy ishullit Sazan si pikë gjeostrategjike për t’i siguruar vetes dhe Rusisë qasje në Mesdhe”, përfundon Tahiri.