Zyra e Rregullatorit për Energji ende nuk ka vendosur në lidhje me mënyrën se si do t’ua kompensojë mbi 550 mijë familjeve mbi 40 milionë euro për rrymën e paguar për veriun e vendit, megjithëse ky institucion deklaron se do t’i kryejë detyrat e tij.
Mbi 500 mijë familje pritet të kompensohen për energjinë që kanë paguar për veriun e Kosovës nga viti 2012 deri më 2017.Zyra e Rregullatorit për Energji i ka thënë RTK-së se aktgjykimi i Supremes është mjaft kompleks, por që do t`i kryejnë detyrimet e tyre pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“ZRRE është duke e analizuar këtë aktgjykim dhe do të shqyrtojë të gjitha opsionet e mundshme ligjore që i ka në dispozicion në lidhje me këtë rast. Pavarësisht se ky aktgjykim është mjaft kompleks, ZRRE-ja do t`i kryejë detyrat e saj konform mandatit ligjor dhe për të gjitha veprimet që do të ndërmerren, opinioni publik do të njoftohet me kohë”
Sqarimin e ZRRE-së po e pret edhe e para e dikasterit të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila tha se kompensimi do të bëhet nga KEDS-i.
Njohës të ekonomisë dhe kushtetutës thonë se qytetarëve mund t’u bëhet kompensimi duke iu zbritur faturat e ardhshme të energjisë.
Nga viti 2017 e tutje shpenzimet e energjisë në veri janë mbuluar nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, si dhe nga subvencionet e Qeverisë.