Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Presidenti Begaj kthehet në “noter” të qeverisë, dekreton ligjin “Për Zonat e Mbrojtura” dhe e konsideron si Kushtetues

Presidenti i vendit, Bajram Begaj është kthyer në “noter” i qeverisë, teksa ka dekretuar ligjin për “Zonat e Mbrojtura”, i cili u votua në Kuvend më 22 shkurt vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa është kontestuar nga radhët e opozitës. Ky ligj i hap rrugë ndërtimeve ekologjike për t’i vënë në shërbim të ekonomisë. Në argumentimin e presidentit thuhet se u zhvilluan disa konsulta me grupet e interesit dhe ekspertë të Kushtetutës, të cilët nuk gjejnë bazë për pretendimet si ligj me risk potencial për mbrojtjen e mjedisit dhe as të kushtetutshmërisë.

“Për probleme që mund të konstatohen gjatë implementimit të ligjit mund të vihen në lëvizje mekanizma të tjerë ligjorë mbrojtës”, thotë presidenti. Shqetësimeve për miratimin e ligjit pa kuorumin e deputetëve në seancë plenare, Presidenca sqaron se janë lëndë e brendshme e Kuvendit dhe mund të trajtohen vetëm prej tij. Institucioni i Presidentit të Republikës nuk identifikoi përplasje dispozitash. Zbatimi i direktivave mund të bëhet i plotë edhe në kushtet e këtij ligji. “Presidenti i Republikës, Sh. T. Z Bajram Begaj, dekretoi ligjin nr. 21/2024, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”.

Për shkak se ligji u shoqërua me komente dhe kritika në fazën e shqyrtimit dhe miratimit të tij, sidomos nga grupet përfaqësuese të organizatave mjedisore, Presidenti i Republikës ndërmori një sërë konsultash dhe zgjeroi procedurën e shqyrtimit me përfshirjen dhe tërheqjen e opinioneve nga grupet e interesit, por edhe nga ekspertë kushtetues. Lidhur me shqetësimet e ngritura për këtë procedurë shqyrtimi, Institucioni i Presidentit të Republikës sqaron opinionin publik, si vijon: Organizatat e shoqërisë civile shohin te ligji përplasje me standardet dhe udhëzuesit e IUCN-së (International Union for Conservation of Nature).

IUCN-ja është një rrjet i madh dhe i rëndësishëm ndërkombëtar i organizatave mjedisore me autoritet global për sa u takon çështjeve të mbrojtjes së mjedisit”, thuhet në njoftim. Po ashtu, thuhet se shqyrtimi i kushtetutshmërisë që bën Institucioni i Presidentit të Republikës është shqyrtim abstrakt dhe i pa lidhur me skenarë të supozuar veprimi. “Për probleme që mund të konstatohen gjatë implementimit të ligjit mund të vihen në lëvizje mekanizma të tjerë ligjorë mbrojtës, si nga organet eprore/mbikëqyrëse, ashtu edhe nga organizatat mjedisore. Shqyrtimi i kushtetutshmërisë që bën Institucioni i Presidentit të Republikës është shqyrtim abstrakt dhe i pa lidhur me skenarë të supozuar veprimi”, njoftoi dje Presidenca.