Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Haradinaj shkon në Deçan: S’kemi shtet tjetër, do t’i respektojmë vendimet e qeverisë

 
   

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka qëndruar sot në Deçan, derisa ka takuar edhe kreun e kësaj komune, Bashkim Ramosajn me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit.

Në një postim në Facebook, Haradinaj ka theksuar se Deçani do të vazhdojë të jetë në shërbim të qytetarëve dhe do t’i respektojë vendimet e institucioneve qendrore të Kosovës, mirëpo sipas kreut të AAK-së, Qeveria e Kosovës nuk po e respekton dhe përkrah këtë komunë në kërkesat jetike në shërbim të qytetarëve.

“Sot qëndrova në Deçan ku zhvillova një diskutim me kryetarin, z. Bashkim Ramosaj dhe autoritetet tjera lokale për të gjitha zhvillimet e fundit në Deçan e më gjerë. Deçani, si çdoherë ka nderuar Kosovën e gjithë kombin në të gjitha çështjet e ndjeshme, dhe do të vazhdojë të jetë në shërbim të qytetarëve dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, për t’i respektuar vendimet e institucioneve qendrore të Kosovës, sepse është shteti ynë dhe shtet tjetër nuk kemi”, ka shkruar Haradinaj.

“Por, qeveria e sotme e Kosovës nuk po e respekton dhe nuk po e përkrah Deçanin në kërkesat jetike në shërbim të qytetarëve. Shumë projekte kanë mbetur pa buxhetin e domosdoshëm për t’i përfunduar ato. Kjo sjellje e tillë e qeverisë ndaj Deçanit duhet të ndërpritet dhe t’i ofrohet përkrahja e merituar në projektet që kanë mbetur pezull”, tha tutje ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mbledhjen e 13 marsit të Qeverisë ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Agjencia Kadastrale ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dhënien e tokës së Manastirit të Deçanit.

Kurti tha se Kosovës i është bërë e qartë që të zgjedhin mes dy opsioneve, të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të ecur përpara drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës këtë vit, apo të hiqet dorë nga çështja e Kosovës nga agjenda e anëtarësimit.