Profesori universitar, Seb Bytyqi, ka thënë se është vështirë të thuhet se takimi i sotëm në Bruksel ishte produktiv.
Megjithatë sipas tij, ekziston hapësira për marrëveshje për shkak se siç thotë ai, Serbia e ka të vështirë të argumentojë që të mbahet sistemi aktual i transferit të dinarit.
“Është vështirë të thuhet se a ka qenë produktiv sepse si duket janë diskutuar shumë gjëra e një ndër to edhe çështja e dinarit edhe pse nuk është pritur që të ketë një marrëveshje. Përderisa ekziston një plan përpara atëherë ndoshta mund të quhet produktiv. Ka hapësirë për marrëveshje për shkak se është e vështirë për Serbinë që të argumentojë që të mbahet sistemi aktual i transferit të dinarit, kështu që ka interes besoj te të gjithë që të kalohet në një sistem transparent të transfereve dhe për këtë arsye ka hapësirë për kompromis”, tha ai.
Ai thekson se mënyra më e logjikshme do të ishte përdorimi i një banke komerciale.
“Gjithashtu duke pasur parasysh që mund të gjenden disa lloj të kompromiseve të ndryshme, më i logjikshmi është që të përdoret një bankë komerciale dhe besoj që aty diku do të jetë thelbi i kompromisit dhe mund të arrihet një marrëveshje që nënkupton që Serbia i transferon shumat në një konto e më pas shumat të transferohen në konto individuale. Te Kosova e shoh një vullnet për diçka të tillë edhe pse interesi i Serbisë është që të mos ketë transparencë sepse aty bëhet fjalë për korrupsion të madh, dhe për financim ilegal të strukturave paralele dhe kriminale duke përfshirë grupin e Radojçiqit dhe nuk ka interes që Serbia të ketë transparencë”, shtoi ai.
Bytyqi beson se është më e mundshme që të arrihet një kompromis për transfere bankare.