Edhe pse vendosin t’i ndajnë rrugët me bashkëshortët e tyre, shumë gra përballen me kërcënime e shantazhe. Raste të tilla janë të shpeshta, por jo gjithmonë denoncohen nga viktimat, me shpresën se problemet zgjidhen.
Një rast i tillë ka ndodhur mes një çifti në Fushë Kosovë, pasi gruaja vendosi të largohet nga shtëpia pas një zënke me bashkëshortin.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se burri ka shkuar te shtëpia e familjes së bashkëshortes së tij dhe i njëjti dyshohet se e ka kërcënuar se do t’ia publikojë disa fotografi intime të saj.
Si rezultat i këtyre fjalëve, 31-vjeçarja ka vendosur që të kthehet në shtëpinë e bashkëshortit, e më pas e ka denoncuar rastin në Polici.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka mohuar se ka ushtruar dhunë apo presion te bashkëshortja e tij.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Dhunë në familje’ dhe i dyshuari do të hetohet në liri.