Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, gjatë qëndrimit në Bruksel, është takuar me liderën e opozitës bjelloruse që vepron në ekzil, Sviatlana Tsikhanouskaya.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi thotë se Tsikhanouskaya është e vendosur që të ballafaqohet me të gjitha sfidat e mundshme – për një të ardhme më të mirë dhe më demokratike për Bjellorusinë.
“Kur në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në Bjellorusi, bashkëshorti i saj si kandidat për President u arrestua nga regjimi diktatorial i Lukashenkos, Sviatlana Tsikhanouskaya u bë lidere e opozitës dhe hyri vet në garë si kandidate. Sot, edhe pse e detyruar të largohet nga vendi i saj, nga shumica e shteteve demokratike ajo njihet si Presidente e Zgjedhur – lidere legjitime e Bjellorusisë.
Ishte frymëzues takimi dhe diskutimi në Bruksel, me një grua kaq të guximshme, e cila përfaqëson shpresën dhe qëndrueshmërinë e popullit të saj. Bashkë me Qeverinë e Bashkuar Tranzitore, që vepron në ekzil, Tsikhanouskaya është e vendosur që të ballafaqohet me të gjitha sfidat e mundshme – për një të ardhme më të mirë dhe më demokratike për Bjellorusinë. Për vetëmohimin dhe kurajon e saj në këtë mision shumë të vështirë, por shumë fisnik, zonjës Tsikhanouskaya i shpreha konisderatën dhe solidaritetin e plotë”, ka shkruar i pari i PDK-së.