Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafi ka publikuar pamje të tankeve të ushtrisë serbe në Luginë të Preshevës.
Ai ka thënë se skenat si kjo tashmë janë shpeshtuar në Luginën e Preshevës.
Për arsyen e publikimit të pamjeve, Mustafi ka thënë se e ka bërë jo për të përhapur frikë e zemërim por për të hedhur dritë mbi realitetin me të cilin po përballen shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
“Skenat si kjo tashmë janë shpeshtuar në Luginën e Preshevës. 48 baza ushtarake dhe të Xhandarmërisë së Serbisë janë duke operuar përgjatë kufirit. E postova, jo për të përhapur frikë ose zemërim, por për të hedhur dritë mbi realitetin me të cilin po përballen shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, ka shkruar Mustafi në Facebook.
Ndryshe, dje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se gjatë ditës janë vërejtur njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë disa metra larg kufirit me Kosovën.
Kurti ka thënë se këta trupa janë parë në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut.
“Lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën”, ka shtuar ai, teksa ka shpërndarë videon.
Sipas Kurtit, Forcat e Armatosura të Serbisë po realizojnë stërvitje të rregullta, duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën.
“Jemi duke vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal”, ka shkruar më tej Kurti.
Ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërcënoi publikisht Kosovën, duke thënë se “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzoj mundësinë për të vepruar”.