Së paku 115 njerëz u vranë, pasi sulmues të armatosur qëlluan një sallë koncertesh në periferi të Moskës, thanë zyrtarët rusë.
Autoritetet shëndetësore thanë se qindra të tjerë u plagosën – prej tyre rreth 60 në gjendje kritike.
Ngjarja ndodhi në sallën Crocus City në Krasnogorsk, mbrëmjen e së premtes.
Drejtori i Shërbimit Federal të Sigurisë në Rusi, tha të shtunën se 11 persona janë ndaluar lidhur me sulmin në Moskë, përfshirë katër sulmues të armatosur.
Presidenti rus, Vladimir Putin e konsideroi të shtunën sulmin si terrorist, dhe e shpalli 24 marsin ditë zie kombëtare.
Sipas tij, kryesit e sulmit tentuan të fshiheshin në Ukrainë.
Grupi militant, Shteti Islamik (IS), ka marrë përgjegjësinë për sulmin në disa kanale në Telegram, të lidhura me të.
Sipas deklaratës së IS-it, sulmuesit “janë tërhequr në bazat e tyre”.
Sulmi ishte më vdekjeprurësi në Rusi që nga rrethimi i shkollës në Beslan, në vitin 2004./rel